Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar supendimin nga puna të Ramadan Bullatovcit, rreshterit policor, i cili shërben në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i Rëndë Trupor”, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate nga IPK.
“IPK ka rekomanduar që të dyshuarit, Zyrtarit Policor (R. B), ti shqiptohet masa administrative suspendim nga puna”, thuhet në njoftimin e tyre.
Gazeta Sinjali gjatë ditës së sotme ka raportuar se tre persona janë arrestuar mbrëmë në fshatin Miradi të Ulët të Fushë Kosovës, përfshirë dhe zyrtarin e lartpërmendur, pasi që të njëjtit janë rrahur me komshinjtë e tyre.
Sinjali ka mësuar se përleshja fizike me komshinjtë e tyre ka ndodhur për shkaqe pronësore.
Hetuesit e Stacionit Policor në Fushë Kosovë së bashku me Inspektoratin Policor të Kosovës kanë kryer arrestimin e personave të lartpërmendur.
Ndërsa tre të arrestuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/