image Suspendohet një zyrtar policor në Pejë, dyshohet se ndihmoi familjarin e tij të shantazhojë një grua

Ekskluzive

Suspendohet një zyrtar policor në Pejë, dyshohet se ndihmoi familjarin e tij të shantazhojë një grua

news image

Një zyrtar policor është suspenduar nga detyra nën dyshimet se ka ndihmuar një person me të cilin ka lidhje familjare e që dyshohet se me anë të shantazhit ka përfituar mjete financiare mbi katër mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 37-vjeçari B.D., për vite me radhë ka shantazhuar një grua, nga e cila ka arritur që t’i përfitojë kundërligjshëm mbi katër mijë euro.

Gruaja e cila ka denoncuar rastin në organet e rendit, ka deklaruar se gjatë një periudhe 3-vjeçare, përmes transfereve online i ka dërguar paratë të cilat i kërkoheshin në adresë të të dyshuarit B.B. E gjithë këtë ai dyshohet se e kreu me ndihmën e një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Kjo ka bërë që Inspektorati Policor i Kosovës të nis hetimet ndaj zyrtarit policor dhe pas mbledhjes së informacioneve të para, ndaj të njëjtit ka rekomanduar suspendimin nga puna.

Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë gjatë ditës së djeshme kanë kryer bastisje në shtëpinë e 37-vjeçarit të dyshuar, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale një shtëpizë të kompjuterit dhe dy telefona celularë.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Shantazh’. Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të dorëzohet kallëzim penal.

Ndërsa ndaj zyrtarit policor kanë nisur hetimet nën dyshimet për ndihmë për të kryer një vepër penale.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

/GazetaSinjali/