image Regjistrimi i popullsisë nis me 1 shtator 2023

Sociale

Regjistrimi i popullsisë nis me 1 shtator 2023

news image

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është pjesa thelbësore e programit statistikor kombëtar. Viti 2023, do të jetë viti i regjistrimit të popullsisë që nënkupton realizmin e projektit më të madh statistikor në vend, në ditën referuese 1 shtator 2023, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Projekti nacional i regjistrimit të popullsisë realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me mbështetjen e institucioneve qendrore e lokale, partnerëve ndërkombëtar dhe organeve përkatëse të përcaktuara me Ligjin e Regjistrimit të popullsisë. Si një ndër projektet më të rëndësishme nacionale, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në periudhën kohore 1 shtator-16 tetor 2023”, njofton ASK-ja.

Sipas ASK-së përmirësimi i afateve kohore dhe modernizimi i prodhimit të të dhënave statistikore, janë garantues për gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja qytetare në regjistrimin, është obligim ligjor, dhe çdo banor i Republikës së Kosovës obligohet që gjatë regjistrimit zyrtarit për regjistrim të ia ofroj të dhënat e sakta për vete dhe të afërmit e tij/saj.

“Për herë të parë në Kosovë, të dhënat e regjistrimit të popullsisë do të mblidhen në mënyrë digjitale. Metodologjia e Regjistrimit të popullsisë, është në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të Eurostat dhe OKB-së”, thuhet në njoftimin.

Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se do të zbatoi qasjen gjithëpërfshirëse përmes garantimit të pjesëmarrjes dhe synimit për të regjistruar secilin banor dhe secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Java e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë që do të mbahet në datat 8-11 nëntor 2022, synon të mbledhë akterët kryesor në vend të nivelit qendror, lokal, regjional e ndërkombëtar për të diskutuar rëndësinë e procesit të regjistrimit, metodologjinë e qasjet implementuese, modelet dhe praktikat më të mira shtetërore.

/GazetaSinjali/