Regjisori iranian Mustafa Keshvari, ka realizuar filmin e parë për pandeminë e koronavirusit, i cili trajton temën e paragjykimit.
Filmi zhvillohet në një ashensor, ku një vajzë kineze, e cila mund të jetë e infektuar mbetet e bllokuar brenda me shtatë persona të tjerë.
Regjisori Keshvari për “New York Times”, ka thënë se ideja për filmin i ka lindur teksa ishte në një ashensor dy muaj më parë, ku ishte duke lexuar lajmet me sulmet që po përjetonin turistët kinezë.
“Ky film flet për frikën, një studim mbi shoqërinë, njerëzit dhe zgjedhjet e tyre”, citohet të ketë thënë ai.
Më tej, ai ka deklaruar se anipse është cilësuar fillimish si virus kinez, njerëzit duhet të bashkohen për ta mundur atë.
“Covid-19 – fillimisht u përkufizua si virusi kinez. Por tashmë, ai infekton këdo pa dallim race. Sot raca njerëzore duhet të bashkohet për të mundur këtë virus. Virusi nuk bën diskriminime, atëherë pse ne duhet të bëjmë diskriminim?”, citohet të ketë thënë ai.
Përveç vajzës kineze, personazhet e tjera të bllokuara në ashensor janë: një punonjës i mirëmbajtjes, i vetmi i cili duket se e mban nën kontroll frikën ndaj infektimit; një milionere, një supremacist i bardhë në karrige me rrota; pronari i pallatit, një grua shtatzënë dhe një banor borxhli.
Filmi është xhiruar brenda disa ditëve në muajin shkurt me një trup prej 25 aktorësh, kur epidemia sapo kishte nisur. Raportohet se nuk ka pasur asnjë rast pozitiv tek aktorët e kastit.
Filmi do të shpërndahet në streaming./Gazeta Sinjali/