Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit Ministria e Shëndetësisë ka shkelur Kushtetutën kur mori vendim për shpalljen e Prizrenit “zonë karantine”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Thaçit rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm edhe në kohë pandemia. Andaj, sipas tij, në asnjë rrethanë askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe sipa tij, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë.
“Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës. Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë”, ka shkruar presidenti në Facebook.
I pari i vendit ka dënuar gjithashtu edhe gjuhën kërcënuese që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përdori në përkujtesën zyrtare drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
“Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme! Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj. Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues”, përfundon Thaçi./Gazeta Sinjali/