Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Gjermania ka njohur zyrtarisht patentë-shoferët nga Kosova, duke thënë se ky është një lajm shumë i mirë për mërgatën tonë që jetojnë në këtë shtet.
Osmani ka thënë se njohja e patent shoferëve ka qenë një prej diskutimeve kryesore gjatë takimeve që ka pasur me presidentin Frank-Walter Steinmeier dhe ish- ministrin e Punëve të Jashtme, Heiko Maas
“Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, z. Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje. Jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kahmotshme”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Sipas Osmanit, njohja e patent shoferëve nga Gjermani, konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve kosovare.