Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, në Tiranë nga një efektiv policie, ditë më parë, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti përmes një postimi në Facebook u ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, gjersa ka shtuar se thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve.
“I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve”, shkroi ai.
Tutje, Kurti u shpreh se janë zhgënjyer qytetarët dhe rinia, ku sipas tij, janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve.
“Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh. Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve”.
Kurti shtoi se revolta rinore mund të mos ketë pasur fjalime të sofistikuara, por sipas tij, ajo foli e po flet qartë.
“Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje. Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet”, shkroi ai.
“Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo”.
“Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë”, përfundoi Kurti në llogarinë e tij në facebook. /Gazeta Sinjali/