Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar lidhur me plagosjen e një zyrtari policor sot nga hajnat në Veternik të Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.
Veliu përmes një komunikate për media është shprehur se sulmet ndaj zyrtarëve policorë janë të papranueshme, gjersa i dëshiron shërim të shpejtë policit të plagosur, duke uruar që rastet e tilla të mos përsëriten më.
“Me këtë rast, unë si Ministër i Punëve të Brendshme i dëshiroj shërim të shpejtë zyrtarit policor, duke uruar që rastet e tilla të mos përsëriten më dhe ofroj mbështetjen time të plotë Policisë së Kosovës dhe organeve të tjera përgjegjëse për zbardhjen e rasteve të tilla sa më shpejtë”, tha ai.
Komunikata e plotë:
Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë si Ministër me shqetësim të madh pranuam lajmin për plagosjen e zyrtarit policor sot në mëngjes.
Sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të papranueshme dhe Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër çdo sulm ndaj zyrtarëve të saj dhe shpreh gatishmërinë që të përkrah punën e palodhshme të tyre.
Policia e Kosovës është shembull për punën, përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, mirëpo ajo po goditet shumë herë nga ata që për interes kanë de-stabilizimin, kaosin dhe përfitimet nga aktivitetet kriminale.
Secili zyrtar policor është një kujtesë e rreziqeve me të cilat përballet Policia jonë gjatë shërbimit ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së rendit dhe sigurisë.
Shoqëria jonë duhet t’i dënojë këto akte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës në parandalimin dhe zbulimin e rasteve të tilla.
Zyrtarët policorë në baza ditore vënë jetën e tyre në rrezik për mirëqenien tonë andaj respekti, integriteti, profesionalizmi i tyre na bënë krenar dhe obligues të gjithëve për mbështetjen dhe ndihmën e pa rezervë për Policinë tonë.
Me këtë rast, unë si Ministër i Punëve të Brendshme i dëshiroj shërim të shpejtë zyrtarit policor, duke uruar që rastet e tilla të mos përsëriten më dhe ofroj mbështetjen time të plotë Policisë së Kosovës dhe organeve të tjera përgjegjëse për zbardhjen e rasteve të tilla sa më shpejtë.
Ju na mbani të sigurt dhe jepni çdo gjë nga vetja juaj, faleminderit për guximin dhe përkushtimin tuaj!