Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka konsideruar vendimin e Qeverisë për të mos përkrahur tërheqjen e një shumë të caktuar të parave nga Trusti si neglizhencë dhe papërgjegjësi.
Haxhiu ishte deputeti që inicioi kërkesën për tërheqje deri në 30% të parave nga Trusti prej qytetarëve të Kosovës në Kuvend. Qeveria priti deri në ditën e fundit të afatit për të treguar se nuk do ta përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit. Haxhiu ka thënë se Qeveria nuk ka pasur nevojë të pres deri në ditën e fundit vetëm që të refuzojë këtë kërkesë.
“Neglizhencë dhe papërgjegjësi e Qeverisë ne raport me kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti! Në ditën e fundit, natën vonë Qeveria i thotë JO kërkesës së qytetarëve për Trustin. Qeveria e Kosovës për përgjigje negative nuk ka pas nevojë ta vonoj projektligjin per Trustin 30 ditë”, shkruan Haxhiu.
Ai shton se tërheqja do të kishte ndikim pozitiv në buxhetin e Kosovës dhe nuk e kuptuar mosmbështetjen nga Qeveria.
“Kjo është neglizhencën dhe papërgjegjësi e Qeverisë në raport me krizën ekonomike që ka kapluar qytetarët. Për më tepër është zvarritje e qëllimshme për kalkulime të dobëta politike. Kur dihet se projektligji për Trustin do të ketë impakt pozitiv ne Buxhetin e Kosovës dhe në jetën e qytetarëve, pse Qeveria nuk e ka mbështet është e pakuptimt?!”, shtoi ai.
Gjithsesi ai shpreson që deputetët do ta përkrahin këtë nismë dhe se shumica do të votojnë pro.
“Unë nga data 09.03.2022 kur kam protokolluar Projektligjin për Trustin, çdo ditë kam biseduar me shumicën e deputetëve të Kuvendit, ku besoj shumë në votim PRO Projektligjit për Trustin në Kuvend. Nga nesër Projektligji për Trustin është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe besoj se deputetët do të votojnë me integritet Pro kërkesë e qytetarëve për të ju mundësuar tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Kërkesa është e qytetarëve, deputetët janë të popullit!”, përfundoi ai