Ditë më parë mediumi NBC raportoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë në Kosovë refugjatët afganë që dyshohet se kanë lidhje me talibanët dhe grupet terroriste.
Ambasada Amerikane në Kosovë thotë se ky raportim nuk qëndron.
“Procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta imigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks, dhe disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve”.
“Disa raporte të mediumeve kanë lënë lexuesit me përshtypjen e pasaktë se Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk qëndron”.
“Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i lejon Shtetet e Bashkuara të strehojnë përkohësisht në kampin Bondsteel një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë. Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit, ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë në këtë proces” thuhet në kumtesën e ambasadës.
Tutje thuhet se SHBA-të i janë mirënjohëse Kosovës në ndihmën e kryerjes së detyrës së madhe të zhvendosjes së dhjetëra mijëra qytetarëve afganë për në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera.
“Shtetet e Bashkuara i janë mirënjohëse Kosovës për rolin e saj në ndihmën e kryerjes së detyrës së madhe të zhvendosjes së dhjetëra mijëra qytetarëve afganë për në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera, përfshirë partnerët e NATO -s, e që u kanë ofruar shtëpi të përhershme afganëve që janë në rrezik. Roli i Kosovës në këtë përpjekje është një mirënjohje për dhembshurinë dhe bujarinë e popullit të saj dhe për rolin në rritje të Kosovës në skenën globale”.