image Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë mbahet më 10 maj

Shqipëri

Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë mbahet më 10 maj

news image

Të mërkurën nisin zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë. Në orën 12:30, Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë dhe përcaktojë datën e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Për këtë Partia Socialiste ka propozuar datën 10 maj për zhvillimin e një seance të posaçme, ndërsa Partia Demokratike ende nuk është shprehur për një datë të caktuar.

Nëse në raundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk do të marrë 84 vota, atëherë jo me vonë se 7 ditë vijohet me raundin e dytë, i cili kërkon po aq vota sa i pari.

Palët kanë mundësi të votojnë një emër konsensual deri në raundin e 3-të, në të kundërt mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të.

E gjithë procedura e zgjedhjes së presidentit të ri pritet të përmbyllet brenda këtij muaji.

Deri më tani asnjë prej grupeve parlamentare nuk ka mbështetur publikisht një kandidat të caktuar. E vetmja procedurë që është kryer është ajo brenda grupit parlamentar socialist, ku secili prej deputetëve ka propozuar 3 emra të cilët nuk janë bërë publik.

Kryeministri Rama ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ri të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Po ashtu, ka përjashtuar edhe emrin e Vali Bizhgës, drejtoreshës së kabinetit në kryeministri, një emër i lakuar nga ish-kryeministri Berisha.

Pak ditë më parë në emisionin “Barometri” në Euronews Albania, në një sondazh të kryer me qytetarët, Pandeli Majko dhe Majlinda Bregu ishin dy emrat më të votuar për t’u zgjedhur president.

/GazetaSinjali/