image Rashit Qalaj tregon si Kosova i dha Shqipërisë gazin lotsjellës

Kosovë

Detaje/ Rashit Qalaj tregon si Kosova i dha Shqipërisë gazin lotsjellës

news image

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, tha se raportimet në media ku thuhej se ai ka bërë marrëveshje sekrete me Shqipërinë dhe ua ka dhënë gazin lotsjellës me të cilin ishin sulmuar protestuesit atje, janë pjesë e fushatës kundër tij.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se marrëveshja ka qenë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Jashtme të Kosovës.

“Në media është folur që ka qenë marrëveshje sekrete e Rashit Qalaj me policinë e Shqipërisë, por për hir të sqarimit të opinionit publik më lejoni të ju njoftoj që Policia e Kosovës ka marrëveshje me shumë polici në botë, ne i kemi 93 marrëveshje me 19 shtete dhe kemi marrëveshje edhe me institucionet ndërkombëtare të sigurisë. Me Shqipërinë bashkëpunojmë në baza ditore qe një kohë shumë të gjatë. Çdo incident serioz që është në Kosovë apo në Shqipëri kemi bashkëpunim. Këto kritika nuk kanë të bëjë fare me marrëveshjen por kanë qenë fushatë në adresë timen meqenëse është duke ndodhur tranzicioni i pushtetit. Unë dua të ju informoj që realizimi i marrëveshjes ka qenë proceduralisht në rregull”, ka thënë ai.

Ai thotë se marrëveshja ka qenë proceduralisht në rregull.

“Kolegët nga Policia e Shqipërisë kanë kontaktuar Ministrinë e Brendshme që t’ua huazojmë 500 granata gaz në një periudhë kohore të shkurt. Ministri i Brendshëm Ekrem Mustafa ia ka dërguar shkresën ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, pastaj ajo shkresë ka ardhur tek ne, ne e kemi shqyrtuar. Zyra ligjore e ka shqyrtuar në tersi dhe kanë thënë se marrëveshja është në rregull dhe bën të nënshkruhet”, ka thënë ai.

Ai thotë se kanë kontaktuar edhe prodhuesin e gazit lotsjellës përmes Ambasadës franceze, dhe ata kanë thënë se mund t’ua dërgojnë.

Qalaj thotë se ai gaz është blerë për nevoja të Policisë së Kosovës.

Ai thotë se nuk e di nëse ato janë përdorur në protesta të opozitës në Shqipëri.

Duke folur për bashkëpunimin me Policitë e rajonit, ai ka thënë se gëzojnë raporte të mira me shumicën prej tyre.

Qalaj ka shtuar se me Policinë e Maqedonisë është nënshkruar marrëveshje për ndeshjen futbollistike, që këtë lojë ta menaxhojnë së bashku.

Ai thotë se do të dërgojnë policë dhe patrolla të policëve të trafikut dhe ato patrulluese në qytetin e Shkupit ditën kur do të zhvillohet ndeshja.

Ai ka thënë se shkëmbim municioni nuk kanë pasur më herët dhe se ajo me Shqipërinë ishte hera e parë.

Duke folur për bashkëpunimin me Policinë e Serbisë, ai ka thënë se para arrestimit të Marko Gjuriqit, kanë pasur bashkëpunim, por se pas asaj periudhe, bashkëpunimi mes tyre është ndalur.