image Raportimi i Sinjalit për arrestimin e mjekëve në Prizren, kolegët e tyre u shkruajnë letër publike institucioneve

Sociale

Raportimi i Sinjalit për arrestimin e mjekëve në Prizren, kolegët e tyre u shkruajnë letër publike institucioneve

news image

Tre mjekët e Spitalit Rajonal në Prizren, Sami Reshitaj, Gazmend Sylejmani dhe Fisnik Sinani, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj një pacienteje e cila kishte shkuar në repartin e Gjinekologjisë për të kryer lindjen. Foshnja që u lind, ndërroi jetë pak minuta pasi erdhi në këtë botë dhe sipas prindit, kjo ndodhi për shkak të neglizhencës së mjekëve, raporton Gazeta Sinjali.

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës ka reaguar për arrestimin e tyre, duke u dërguar letër publike ministres së Drejtësisë, atij të Shëndetësisë, të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pastaj Besim Kelmendit, UD Kryeprokuror i Shtetit, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin dhe protestën tonë të thellë lidhur me arrestimin e tre mjekëve të nderuar të Spitalit të Prizrenit. Fillimisht shprehim keqardhjen dhe empatinë tonë më të thellë me pacienten dhe familjen e saj. Fatkeqësisht, ngjarje të tilla ndodhin dhe në mjekësi shpeshherë ka zhvillime të gjendjes klinike të pacientëve që mund të kenë edhe përfundim fatal. Për fat të keq, vdekje të tilla ndodhin edhe në vendet me sisteme shumë të mira shëndetësore, por mjekët nuk arrestohen”, thuhet mes tjerash në letrën e tyre.

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës thonë se lajmi për arrestimin e tyre nën akuzat për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor” “ka tronditur komunitetin mjekësor dhe ka ngjallur zemërim tek individë të shumtë që besojnë në përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve”.

Kolegët e mjekëve të arrestuar thonë se gjatë gjithë karrierës së tyre, “ata i kanë shërbyer me zell komunitetit, duke shpëtuar jetë të panumërta dhe duke ofruar kujdes për ata që kanë nevojë. Puna e tyre ka qenë një dëshmi e ekspertizës, profesionalizmit dhe standardeve të tyre etike”.

Ata po ashtu kanë kërkuar që të kryhet një hetim i drejtë dhe i paanshëm për të shqyrtuar plotësisht akuzat.

“Njollosja e padrejtë e reputacionit dhe e karrierës së këtyre profesionistëve të nderuar, pa shqyrtimin paraprak të rrjedhës së ngjarjeve, krijon një precedent të rrezikshëm që cenon besimin e publikut në profesionin e mjekësisë”, thonë nga Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës.

Shoqata tha në fund se mbesin me shpresë se drejtësia do të mbizotërojë dhe se reputacioni e karriera e këtyre mjekëve do të rikthehet. 

/GazetaSinjali/