Pas raportimit ekskluziv të Gazetës Sinjali lidhur me avullimin e 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore të Kosovës nga “Universal Food” e Bahadir Aksoyt, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe kompanisë, nën dyshimin për veprën penale “disponimi dhe ndërrimi i mallit pa autorizim”.
Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet brenda Prokurorisë Speciale se aktakuza është ngritur me arsyetimin se Bahadir Aksoy, me qëllim të disponomit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar atij në ruajtje.
Sipas të njëjtave burime, edhe në arsyetimin e Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës, ashtu siç kishte raportuar Sinjali, gjatë vitit 2019 shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë të cilën e kishte deponuar në kompaninë “Universal Food”, ta barte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave.
Gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 673 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 529 mijë euro.
Kështu edhe kompania “Universal Food”, akuzohet për veprën penale “disponimi dhe ndërrimi i mallit pa autorizim”.
Kujtojmë se Aksoy u arrestua më 15 janar të këtij viti dhe iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, por që pa u mbushur 3 javë, kjo masë u zëvendësua, duke iu caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Detaje të tjera lidhur me këtë ngjarje, për të cilën raportoi Sinjali mund t’i gjeni në linqet e mëposhtme.