image Hajdari akuzon qeveritë e kaluara: Për rezervat shtetërore më së shumti i kanë ndarë 238 mijë euro, të cilat i kanë vjedh

Politikë

Hajdari akuzon qeveritë e kaluara: Për rezervat shtetërore më së shumti i kanë ndarë 238 mijë euro, të cilat i kanë vjedh

news image

Ministrja e Tregtrisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, pas arrestimeve të sotme në këtë dikaster, në një konferencë për media ka pranuar se në porosinë për rezerva shtetërore që ishte bërë gjatë vitit 2022, 3 për qind nga totali i porosisë ka pasur vonesa, raporton Gazeta Sinjali.

Teksa fliste për furnizimet për rezervat shtetërore, të cilat tha se janë në përputhje me ligjet përkatëse, e ku shtoi se nuk dyshojnë në keqpërdorime nga zyrtarët e tyre, ajo kritikat për këto rezerva i ka adresuar te ish-qeverisjet.

Ndër tjera, ajo shtoi se për këto vite qeverisje, për dallim nga qeverisjet tjera rezervat shtetërore kanë shënuar rritje duke u 30-fishuar.

“Për gjatë dy vjetëve të Qeverisë së udhëhequr nga LVV, rezervat shtetërore kanë shënuar rritjen më të lartë se ndonjëherë duke u 30 fishuar gjerë me tani. Për dallim nga qeverisjet e kaluara kur rezervën shtetërore e gjetëm në greminë, të vjedhur, duke cënuar sigurinë kombëtare të popullatës sonë”, tha ajo.

Po ashtu, Hajdari tha se ish-qeverisjet për buxhet të rezervave shtetërore kanë ndarë më së shumti 238 mijë euro, të cilat janë vjedhur nga vetë zyrtarët e mëhershëm.

“Rezerva shtetërore asnjëherë nuk është marr me kujdes të veçantë, nuk ka pas shumë procedura për shkak se nuk është trajtuar për t’u mbushur kjo rezervë shtetërore, për t’i siguruar qytetarët në rast të ndonjë krize për mbijetesë. Pra, për çdo vit që ne e kemi pa në ligjin për buxhetin e viteve një pas një, kemi kuptuar se jo më shumë se 238 mijë euro kanë pasur të ndara për rezervën shtetërore. Dhe këto kanë shkuar sipas thirrjeve shpeshherë edhe të dështuara, edhe të vjedhura nga vetë zyrtarët e mëhershëm, nuk e di…por nga situata që e kemi gjetë është rezerva e vjedhur, në greminë dhe ne kemi marr shumë procese për të rritur me miliona rezervën shtetërore”, u shpreh ndër tjera ajo.

/GazetaSinjali/