image S'flasin pronarët e kompanisë që ia zhduku Kosovës 2 mijë e 519 tonë grurë, ministrja s'pranon pyetje - Sinjali

Skandali/ S’flasin pronarët e kompanisë që ia zhduku Kosovës 2 mijë e 519 tonë grurë, ministrja s’pranon pyetje

news image

Defektet teknike ishin arsyetimi që “Universal Food” ia dha Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kur në prill të vitit të kaluar kjo kompani ia ‘avulloi’ Kosovës 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore.

Pronarët e “Universal Food”, Bahadir Aksoy dhe Ibrahim Aksoy kanë zgjedhur të heshtin pas publikimit të skandalit të zhdukjes së 2 mijë e 519 tonë grurësh nga rezervat shtetërore të Kosovës.

Pasi nuk janë përgjigjur në telefon, Gazeta Sinjali u ka dërguar pyetje me shkrim pronarëve të “Universal Food” për ta marrë versionin e tyre për zhdukjen e grurit nga rezervat e shtetit, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur, ndonëse i kanë parë pyetjet e parashtruara. Ndërkaq gjatë dy kontakteve me telefon dje dhe sot, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdare nuk ka pranuar t’i parashtrohen pyetje për këtë çështje me arsyetimin identik në dy përgjigjet: Jam në takim, kontaktojeni zyrën për media.

Gruri rezervë i Kosovës po mbahej nga kompania e Bahadir e Ibrahim Aksoy, derisa në prill të vitit të kaluar kjo kompani duhej ta bartte sasinë prej 4 mijë e 669 tonë grurë te kompania “Barileva shpk” që ishte kontraktuar nga ministria për ta mbajtur grurin.

Gjatë bartjes së kësaj sasie të grurit, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë apo 640 mijë euro sasi gruri bazuar në çmimin momental.

“Universal Food” i kishte bartur te “Barileva shpk” vetëm 2 mijë e 150 tonë grurë, duke mos e dorëzuar më shumë se gjysmën tjetër të sasisë totale, pa ia dhënë asnjë shpjegim ministrisë.

Gazeta Sinjali ka raportuar se një ditë kamionët e “Barileva shpk” ishin detyruar të kthehen bosh, pasi “Universal Food” e kishte ndërprerë punën në gjysmë.

Pas kësaj, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kishin mbajtur një takim urgjent me drejtorin e “Universal Food” dhe përfaqësues të “Barileva shpk”, takim pas së cilit drejtori i “Universal Food” ishte ‘zhdukur’.

Sipas evidencave të ministrisë, drejtori i “Universal Food” në takim kishte thënë se ndëprerja e bartjes së grurit ishte bërë për shkak të disa defekteve teknike të deponisë dhe se punimet do të vazhdonin pas dy-tre ditëve.

Palët ishin pajtuar që pak pas takimit, anëtarët e komisionit për pranim-dorëzimin e grurit nga ana e ministrisë të shkonin në “Universal Food” për t’i parë defektet e përmendura dhe se ku po mbahej gruri.

Sidoqoftë, zyrtarët e ministrisë nuk e panë kurrë sasinë prej 2 mijë e 519 tonë grurësh që supozohej të ishte e deponuar në “Universal Food”. Ata kishin mbetur duke e pritur drejtorin para kompanisë, derisa ai nuk u kishte kthyer më as përgjigje.

Për ta parë se a është denoncuar ky rast penalisht në Polici dhe Prokurori dhe se a është kërkuar ndonjëherë kompensimi i kësaj sasie të munguar gruri, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje me shkrim në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, nga ku nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, Gazeta Sinjali ka gjetur se një muaj pas këtij skandali (maj 2019), Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i kishte kërkuar Avokaturës Shtetërore që të iniconte padi kundër kompanisë “Universal Food” në lidhje me moskthimin e sasisë së plotë të grurit. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin