image “Raportet janë të acaruara deri në atë masë…”/ Kërkohet paraburgimi i babait të fëmijës që sulmoi logopedin abuzues

Drejtësi

“Raportet janë të acaruara deri në atë masë…”/ Kërkohet paraburgimi i babait të fëmijës që sulmoi logopedin abuzues

news image

Vendi sot është tronditur për herë të dytë brenda pak muajsh kur pacientët janë keqtrajtuar nga punëtorët shëndetësorë. Para më shumë se një muaji një e moshuar u rrah në një qendër për të moshuar në Pejë, ndërsa dje një vajzë 3-vjeçare me autizëm është keqtrajtuar nga logopedi Iljasa Fazliu. Abuzimi me fëmijën i ka kushtuar atij me arrestim dhe ndalim, teksa ndaj tij po kërkohet edhe paraburgimi. Ky rast u zbulua pasi mjeku paraprakisht ishte sulmuar nga babai i fëmijës dhe një familjar i tij, të cilët ia zunë pritën gjatë ditës së djeshme dhe e rrahën në një lokal.

Edhe ndaj tyre, Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin e se është e vetmja masë që mundëson zhvillimin normal të procedurës, duke pasur parasysh rrethanat dhe veprat për të cilat po dyshohen të dyja palët.

Në kërkesën e paraburgimit ndaj Isak Shalës (babai i vajzës) dhe Rilind Vllasaliut, thuhet se të njëjtit me dashje kanë sulmuar mjekun brenda një lokali në Gjilan, duke e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Për pasojë, mjeku i dyshuar ka pësuar lëndime trupore, pasi siç shihet edhe në pamjet e publikuara ekskluzivisht nga Sinjali, ai është sulmuar disa herë në lokal.

https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/608656357680215

Prandaj, Prokuroria ka kërkuar që tre të dyshuarit të dërgohen në paraburgim, pasi raportet mes tyre janë të acaruara dhe nëse të njëjtit lihen në liri mund ta përsërisin veprën, ose të kryejnë vepër tjetër me pasojë edhe më të rënda.

Ndryshe, logopedi Iljasa Fazliu, i cili banon në Prishtinë dhe me profesion është defektolog – logoped, që ushtron detyrën e shefit të shërbimit të Logopedisë në QKUK po dyshohet se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. Ai rrezikon të dënohet me 1 vit burgim, por në rast se gjendja e viktimës përkeqësohet, atëherë mund të dënohet me jo më shumë se 3 vjet burgim.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, duke vlerësuar se është përmbushur kushti themelor që ka të bëjë me ekzistimin e dyshimit të bazuar, se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

Ai po dyshohet se gjatë ditës së djeshme, në cilësinë e mjekut “ka përdorur metodë të papërshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijës me autizëm, ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, duke i bërtitur me tone të larta “ik.. ik atje, ti koke budallicë, ta q* bota nanën” dhe fjalë të tjera, duke mos iu përmbajtur kështu parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, me ç’rast kanë ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijës”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/