image Raphinha i thotë "jo" ofertës së majme të Al Hilal

Futboll

Raphinha i thotë “jo” ofertës së majme të Al Hilal

news image

Raphinha do të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës edhe sezonin e ardhshëm, pasi ka vendosur të mos pranojë ofertën e Al Hilal dhe të mbetet pjesë e projektit të drejtuar nga Hansi Flick.

Sipas raportimeve të Sport, klubi nga Arabia Saudite kishte paraqitur një ofertë të majme, si për Barcelonën ashtu edhe për futbollistin brazilian, duke i ofruar këtij të fundit kushte financiare dukshëm më të favorshme se ato që ka aktualisht në Spanjë.

Megjithatë, 29-vjeçari nuk ishte i gatshëm të largohej nga “Camp Nou” dhe refuzoi transferimin.

Pas këtij zhvillimi, Al Hilal ka zhvendosur fokusin te një tjetër objektiv. Klubi saudit është pranë arritjes së marrëveshjes për transferimin e anësorit holandez Crysencio Summerville nga West Ham.

Operacioni pritet të kushtojë rreth 55 milionë euro, ndërsa me bonuset shuma mund të arrijë deri në 65 milionë euro.

Me afrimin e Summerville, Al Hilal pritet ta mbyllë kërkimin për një sulmues krahu, duke lënë jashtë planeve çdo tentativë tjetër për Raphinhan gjatë këtij afati kalimtar.

Braziliani mbetet i përkushtuar ndaj Barcelonës, me të cilën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2028.

Ai zgjati bashkëpunimin me klubin katalanas në maj të vitit 2025 dhe beson se do të ketë një rol të rëndësishëm në skuadrën e Hansi Flick, pavarësisht konkurrencës së fortë në repartin ofensiv.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Barcelonës nuk kanë shfaqur asnjë synim për ta nxjerrë në shitje lojtarin, ndërsa një largim do të mund të ndodhte vetëm nëse vetë Raphinha do ta pranonte një transferim.

Pas një sezoni të vështirë, të shoqëruar me probleme fizike, reprezentuesi brazilian synon të rikthehet në formën më të mirë, të fitojë sërish vendin në formacionin titullar dhe të japë kontribut të rëndësishëm për Barcelonën në La Liga dhe në garat evropiane.

Edhe pse merkatoja mbetet e hapur dhe interesimi nga klube të tjera nuk përjashtohet, deri tani nuk ekziston asnjë ofertë konkrete për Raphinhan, i cili pritet t’u bashkohet normalisht përgatitjeve të Barcelonës për sezonin e ri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/