Barcelona vazhdon përpjekjet për transferimin e sulmuesit argjentinas Julian Alvarez, ndërsa Atletico Madridi ka vendosur kushtet e saj për një marrëveshje të mundshme.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, konfirmoi së fundmi se klubi katalunas ka nisur ofensivën për sulmuesin 26-vjeçar, duke bërë të ditur se oferta financiare është mjaft e lartë.
“Oferta është për një shumë shumë të konsiderueshme, por nuk do të jetë e pakufizuar. Herën e fundit që folëm me Miguel Angel Gil Marin, isha shumë i qartë”, ka deklaruar Laporta.
Sipas raportimeve, oferta fillestare e Barcelonës është vetëm në para dhe varion nga 100 deri në 120 milionë euro. Megjithatë, nëse do të jetë e nevojshme, katalunasit nuk e përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së një lojtari në marrëveshje.
Sipas “Mundo Deportivo”, Atletico Madridi dëshiron të përfshijë në negociata talentin 19-vjeçar Marc Bernal. Trajneri Diego Simeone e vlerëson lart mesfushorin dhe beson se ai mund të shndërrohet në liderin e ardhshëm të repartit të mesfushës.
Megjithatë, Barcelona nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Bernal. Mesfushori gëzon besimin e plotë të trajnerit Hansi Flick, ndërsa edhe vetë lojtari është i përqendruar te vazhdimi i karrierës së tij në “Camp Nou”.
Për këtë arsye, klubi katalunas pritet të refuzojë kërkesën e Atleticos, duke bërë që negociatat për Julian Alvarezin të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!