image Christensen në radarët e Milanit, derisa Barcelona punon për rinovimin

Futboll

Christensen në radarët e Milanit, derisa Barcelona punon për rinovimin

news image

Milan po shqyrton mundësinë e afrimit të mbrojtësit danez Andreas Christensen, i cili mund të jetë i disponueshëm si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës së tij me Barcelonën më 30 qershor.

Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, kuqezinjtë e shohin me interes këtë opsion pasi nuk do të ishte e nevojshme të paguhej dëmshpërblim për kartonin e lojtarit, duke u dhënë mundësi të investojnë fondet në repartet e tjera të skuadrës. Kjo konsiderohet veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur klubi ende nuk ka zyrtarizuar drejtorin sportiv, trajnerin dhe planin e ardhshëm të merkatos.

Christensen sjell me vete një bagazh të pasur përvoje nga futbolli anglez me Chelsean dhe ai spanjoll me Barcelonën. Përveç cilësive mbrojtëse, ai vlerësohet edhe për aftësitë organizative dhe rolin e liderit në prapavijë.

Një element që mund të ndikojë në këtë operacion është raporti i mirë mes danezit dhe Ralf Rangnickut, emri i të cilit vazhdon të lidhet me një post drejtues te Milani. Burime të ndryshme sugjerojnë se mes tyre ekziston respekt i ndërsjellë, çka mund ta lehtësojë një marrëveshje të mundshme nëse gjermani merr një rol zyrtar në klub.

Megjithatë, rruga drejt transferimit nuk duket e thjeshtë. Barcelona thuhet se po punon për ta bindur Christensenin të vazhdojë qëndrimin në “Camp Nou”, ndërsa mes palëve raportohet të ketë edhe një mirëkuptim paraprak për rinovimin e kontratës.

Një tjetër aspekt që ngre pikëpyetje është mosha e futbollistit. Në moshën 30-vjeçare, ai nuk përputhet plotësisht me projektin e Milanit, i cili synon të ndërtojë një skuadër më të re për vitet në vazhdim.

Po ashtu, paga e kërkuar nga mbrojtësi, që llogaritet mes 3 dhe 4 milionë eurove në sezon, mund të përbëjë një sfidë për klubin italian, i cili po ndjek me kujdes politikat financiare dhe strukturën e pagave në një periudhë të ndjeshme organizative.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/