image Rama shëtiti Ballkanin, në secilën konferencë foli për Kosovën

Politikë

Rama shëtiti Ballkanin, në secilën konferencë foli për Kosovën

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përmbyllur turin e tij ballkanik të cilin e nisi më 6 korrik në Maqedoninë e Veriut, dhe e mbylli më 7 korrik në Serbi, raporton Gazeta Sinjali.

Pas vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me kryeministrin Kovaçevski, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, nga ku foli edhe për Kosovë dhe kryeministrin Kurti.

“Në Kosovë kur të shkoj unë kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”, u shpreh Rama gjatë kësaj konference.

Vetëm pas pak orësh, ai mbërriti në Kosovë, ku si fillim u takua me presidenten e vendit Vjosa Osmani, për të vazhduar më pas takimin e tij me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Ndërsa, siç dihet takim me kryeministrin Kurti nuk pati, mos-takim ky për të cilin tha se “gjëja më e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, të flasin – duke u takuar dhe duke folur mbase kuptojnë më mirë njëri-tjetrin”.

“Unë jam përpjekur të komunikojë, por ka qenë e vështirë. Është një moment i tillë, dhe unë nuk dua të jap gjykime. Unë jam kërkuar disa ditë më radh takim me Albinin, pasi kam dasht t’ia përcjellë disa shqetësime, nuk ka qenë e mundur për ta bërë takimin – ai ka qenë shumë i zënë, ka pas punë të tjera”, tha ai, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeparlamentari, Konjufca pas takimit me kryeministrin Rama tha se detajet e draftit ia bëri të qarta vetë ai, deklarim ky të cilin Rama e hedhi poshtë, duke thënë se këtë dokument ai ia ka dërguar vetëm tre personave dhe ata janë kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron dhe presidenti i KiE-së, Michel.

Dita e djeshme, Ramën e gjeti në Sarajevë të Bosnje  e Hercegovinës, ku gjatë konferencë të përbashkët me kryetaren e Këshillit të Ministrave në Bosnjë, Borjana Kristo, ai foli përsëri për Kosovën duke thënë se nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera.

Pas Bosnjes, Rama udhëtoi në Mal të Zi, ku u takua me kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviq, ku edhe nga atje foli për raportet e tij me Kurtin.

“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim. Unë në Prishtinë siç erdha edhe këtu për të pasë takime si kryeministër i Shqipërisë dhe në mënyrën më absolute s’kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm mendime të kundërta me një situatë të caktuar”, u shpreh ai.

“Në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Europian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës, për Procesin e Berlinit kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të gjashtë, bashkë aty për tej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vendet e tjera. Në Tiranë Albin Kurti është në shtëpinë e vet – ku siç e dini – madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë. S’ka asnjë problem”, tha Rama në Mal të Zi.

Pak orë pas këtij takimi, ai mbërriti në Serbi, ku u takua me Vuçiqin. Edhe atje, ai u pytë për situatën në Kosovë dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilën tha se dialogu dhe arritja e një marrëveshjeje në nivelin franko-gjerman është e vetmja rrugë për të ecur përpara.

“Do ta përsëris atë që thashë, e vetmja rrugë përpara nuk është rruga e rritjes së tensioneve, por mënyra e dialogut dhe e marrëveshjes, e cila konfirmoet në nivelin franko-gjerman, nuk dua të përsëris këtu atë që thashë në Prishtinë, por askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun kur gjendemi në një situatë që nuk duhet ta lejojmë të ndodhë,  do ta bënte të pamundur kthimin e situatës në mënyrën e vjetër, edhe pse sot është mund të kontrollohet. Duhet të ketë një këndvështrim të përbashkët”, tha Rama.

Kjo konferencë u mbyll me tensione, ku tonet e zërit ndryshuan gjatë momentit kur është folur për çështjen e draftit që kreu i qeverisë shqiptare i ka dorëzuar presidentit francez dhe kancelarit gjerman për Asociacionin.

/GazetaSinjali/