Kryeministri shqiptar, Edi Rama, së bashku me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollin, janë parë në Thumanë, vendin më të prekur nga tërmetet tragjike.
Me këtë rastm Rama ka thënë se nuk duhet të ngatërrohet ndihma që po jep Kosova për të prekurit nga tërmeti me pagesën e taksës që ata duhet të paguajnë në Rrugën e Kombit. Madje, Rama i ka kërkuar Pacollit që t’ua sqarojë kosovarëve këtë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Vetëm të lutem shumë duhet t’i sqarosh ti se unë nuk i sqaroj dot lidhjen e gjithë kësaj me tarifën tek rruga. Tarifa tek rruga është detyrim i të gjithëve që ka të bëjë me shërbimin dhe shtetin. Nëse vjen me zemër dhe me mëndje për të dhënë shumë më tepër se ato 5 euro, duhet të kuptosh që 5 euro nuk janë diskriminim dhe ne edhe në Kosovë e Shqipëri do të shkojmë drejt rrugës me pagesë. 5 euro është kontribut i të gjithëve për veten dhe shtetin”, ka thënë Rama.
“Shumë banorë e diskutojnë, për atë. Ai është kontribut”, ia ktheu Pacolli.
Por Rama i replikoi përsëri, duke thënë se nuk është koha që tash të bëhet kjo temë.
“Ka ustallarë që i fryjnë por nuk është koha për ustallarët është koha për njerëzit”, tha Rama.
Pavarësisht komenteve të Ramës, para pak minutash është vendosur që tarifa në Rrugën e Kombit të hiqet për ata që shkojnë në Shqipëri për të çuar ndihma. /Gazeta Sinjali/