Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke e ndryshuar sërish regjimin e lëvizjes.
Nga dita e nesërme orari i lëvizjes do të jetë nga ora 05.00 e mëngjesit deri në orën 13.00 në mesditë. Ky orar vlen edhe për për pikat e shitjes së ushqimeve, ilaçeve apo shërbimeve bankare, si edhe orari i punës së punonjësve të administratës.
Nga nesër në orën 13.00, gjatë gjithë ditës së dielë, deri të hënën në orën 05.00 të mëngjesit do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të Republikës së Shqipërisë.
Në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike.
Rama thotë se thirrjet për mirëkuptimin e qytetarëve po mbarojnë.
“Kjo është luftë dhe armiku nuk po largohet, por po afrohet çdo minutë! Prandaj mblidheni mendjen bashkë me mua që duhet të shtrëngojmë çdo ditë vidat e zinxhirëve mbrojtës, nëse nuk duam të na grijë si helmi mizat!”, shkroi Rama në një postim në Facebook./Gazeta Sinjali/