Një qytetar nga komuna e Fushë Kosovës, ka akuzuar Policinë e Kosovës se është ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit të tij për arsye se nuk e kishte të vendosur maskën, shkruan Gazeta Sinjali.
Refik Hyseni përmes një postimi në Facebook, është shprehur se djali i tij ka përfunduar në spital, si pasojë e rrahjes nga një polic.
“Kjo si pasojë e një polici të Kosovës. Arsyeja se nuk e ka vendos maskën, e shoqëron në stacion të policisë në Fushë-Kosovë dhe ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj Asdren Hysenit 14 vjeçar, tani i shtrirë në Spitalin e Pediatrisë në Prishtinë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai gjithashtu ka publikuar disa fotografi në llogarinë e tij në Facebook, ku shihet djali i tij i shtrirë në spital.
Ndryshe, Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës, përcakton se “personi fizik i cili nuk respekton vendimin e organit kompetent për bartjen e maskës, dënohet me gjobë 35 euro”. /Gazeta Sinjali/