Gazeta Sinjali ka siguruar dëshminë e qytetarit Muhamer Raifi nga Prishtina i cili ishte rrahur duarlidhur brenda stacionit policor nga komandanti i këtij stacioni, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarë policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj e Shaban Limanaj.
Dëshmia e tij është pjesë e aktakuzës së siguruar nga Gazeta Sinjali, e cila u ngrit më 27 ndaj gjashtë të pandehurve të akuzuar për keqtrajtim ndaj qytetarit të prangosur më 14 nëntor të vitit 2018, e cila dëshmohet që e kishte publikuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
I dëmtuari Muhamer Raifi, në deklaratën e tij të dhënë në prokurori ka theksuar se në datën kritike aty rreth orës 02.00, bashkë me tre shokë të tij, Kastriotin, Astritin dhe Flamurin, mbiemrat e të cilëve nuk i kujtohen, përderisa kanë qenë duke kryer vjedhje në një lokal të cigareve, të cilat cigare pohon t`i kenë futur në veturën e Kastriotit kanë vërejtur policinë.
Sipas tij, në tentativë për tu futer në veturë, është tërhequr zvarrë rreth 5-6 metra nga automjeti ku ka qenë duke hyrë dhe me këtë rast ishte lënduar në njërin gju dhe dorën e djathtë.
Ai ka theksuar se pasi ka arritur të largohet, është zënë dhe arrestuar nga policia në oborrin e një shtëpie të pabanuar, dhe se është dërguar në stacionin policor në Gjakovë, ku është vendosur në një karrige në korridorin e stacionit.
Raifi pohon se në ndërkohë aty ka ardhur një person me rroba civile të cilin nuk e ka njohur fillimisht por që pohon se gjatë shikimit të video-incizimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës ka identifikuar se ishte komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj.
Ai thekson se Gjokaj me të ardhur në stacion e kishte goditur me grusht në fytyrë 3-4 herë, për çka nga goditja pohon të ketë rënë në dysheme ndërsa mohon që ta ketë fyer komandantin e policisë.
Raifi gjithashtu sqaron se pasi ka shkuar komandanti ka ardhur një polic tjetër të cilin e përshkruan me trup të shkurtër e zeshkan dhe që fillimisht të ia ketë drejtuar një bateri-dritë dore, ndërsa kur është afruar afër pohon ta ketë pyetur se me kënd e ka kryer atë vepër. Në këtë kërkesë, i dëmtuari thotë se nuk i kujtohet nëse ia ka dhënë emrat apo jo, por që e din se menjëherë pastaj ky polic e ka goditur me grusht dore në kokë dhe fytyrë.
Ndërkohë ka intervenuar një polic tjetër duke i thënë “ej kamerat”, për çka pohon që pastaj ta kenë dërguar në një dhomë në anën e majtë të korridorit ku nuk ka pas kamera e që pastaj aty të kenë ardhur 3-4 policë të tjerë të cilët pohon të mos i ketë njohur dhe që të gjithë ta kenë sulmuar.
Me këtë rast, Muhamer Raifi pohon t`i jetë ndalur fryma dhe një polic t`i ketë sjellur ujë për ta dërguar më pas në qelinë e cila gjendet në podrum.
Ai pohon se në qeli, polici zeshkan që quhet Milot dhe një polic tjetër pak më i vjetër, aty e kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Aty thotë se njëri e ka kapur për fyti dhe pastaj është goditur me shqelm në organet gjenitale dhe në pjesë tjera të trupit. Gjatë ballafaqimit në IPK, me video-incizimet nga kamerat, kishte identifikuar katër policët që e kishin sulmuar e atë rast me emrat mbiemrat si në kallëzimin penal.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari sqaron se policët fillimisht kanë kërkuar nga i njëjti të jap emrat e personave tjerë të dyshuar.
Ai ka thënë se nuk i kujtohet që derisa ka qëndruar në korridor të ketë qëndruar nën mbikëqyrje të ndonjë polici por thotë se në një zyre është sulmuar nga 3-4 policë kurse në dhomën qeli kur është sulmuar nga policët i kujtohet se një polic tjetër ka qëndruar në dhomë por ai nuk është implikuar në sulmin ndaj tij.
I dëmtuari sipas aktakuzës, mohon që vetë të ketë rënë në dysheme gjatë kontaktit me policinë, apo t`i ketë fyer policët të cilët sipas tij e kanë keqtrajtuar atë, duke theksuar edhe atë se gjatë asaj nate dy herë e ka vizituar mjeku, pasi e kanë thirrë policia.
I dëmtuari i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të pandehurve dhe kërkon kompensim material për të cilin do ta precizoj në fazat e mëvonshme të procedurës penale.
Sipas aktakuzës, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarë policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj akuzohen për veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’ duke rrezikuar të dënohen me burgim deri në tre (3) vjet ndërsa i pandehuri Shaban Limanaj. për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ duke rrezikuar të dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. / Gazeta Sinjali/