image Quni tregon se a janë të rrezikuar pjesëtarët e FSK-së në misionin e tyre paqeruajtës në Kuvajt

Siguri

Quni tregon se a janë të rrezikuar pjesëtarët e FSK-së në misionin e tyre paqeruajtës në Kuvajt

news image

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, ka thënë se dërgimi i pjesëtarëve të FSK-së në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit është një mesazh i fuqishëm se Kosova ka një forcë të besueshme dhe së cilës mund t’i bartet përgjegjësi.

Quni tha se kjo ngjarje ishte emocion i veçantë për të edhe si një ish-komandant i UÇK-së dhe për të gjithë ata që janë të lidhur ngushtë me uniformën.

“Për të gjithë ata djem dhe vajza që ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe që vazhdojnë të qëndrojnë në uniformën e FSK-së është një përjetim i veçantë, por edhe për gjeneratat e reja. Veteranët kur i kujtojnë momentet me gjithë ato kufizimet që i kemi pasë tani arrijmë në një fazë kur ne jemi të konsoliduar mirë, të pajisur mirë dhe me këto kapacitete tona mund t’i shërbejmë paqes kudo që kërkohet”, tha ai në KlanKosova.

I pari i Mbrojtjes tha se ndihet mirë që po e përfundon mandatin me një të arritur të tillë.

“Pasardhësi im do të gjejë një konsolidim të mirë të projekteve dhe të planeve. Çdo njëri prej pjesëtarëve është i vlerësuar dhe i testuar dhe ne kemi besimin e plotë që këta djem dhe vajza me sukses do të kryejnë misionin”.

A janë të rrezikuar pjesëtarët e FSK-së në misionin e tyre paqeruajtës në Kuvajt?

“Në aspektin profesional, unë i kam pranuar të gjithë faktorët ndikues që mund të rrezikojnë jetën e çdo pjesëtari dhe misionit në tërësi dhe janë marrë masa që këto rreziqe të minimizohen”.

Ministri në detyrë ka thënë se FSK-ja i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u bërë ballë rreziqeve të mundshme.

Nga momenti që janë miratuar tri ligjet në Parlamentin e Kosovës, menjëherë është filluar me implementimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, i cili në vitin 2028 duhet të sigurojë që FSK i ka krejt kapacitetet e nevojshme dhe është e gatshme të ballafaqohet me çdo lloj rreziku që do t’i kanoset Kosovës, duke filluar nga agresionet konvencionale deri te sulmet hibride, kibernetike dhe të tjera.”

Quni u shpreh i bindur se askush që ka pretendime në territorin e Kosovën, nuk ka guxim të përballet me FSK-në deri në vitin 2028.

Deri në vitin 2028 jam më së i bindur se asnjë pretendues i territoreve të Kosovës nuk do t’i lejojë vetes të bëjë ndonjë aventurë që të kryqëzojë shpatat me FSK-në”.

Quni ka thënë se interesimi i të rinjve për t’iu bashkuar FSK-së është mbresëlënës./Gazeta Sinjali/