image Quni flet për balotazhin në Prizren, tregon se me kë do bënte koalicion

Quni flet për balotazhin në Prizren, tregon se me kë do bënte koalicion

news image

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, rezultatet e zgjedhjeve të djeshme për partinë e tij i ka vlerësuar të suksesshme përkundër pritjeve më të mëdha, ndërsa ka thënë se janë të hapur për koalicion me LVV-në ose PDK-në për në balotazh.

Ai thotë se subjekti i tij politik në bazë të rezultatit të arritur ka ringritje të theksuara të votave në krahasim me zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, ku LDK në Prizren kishte një rezultat dëshpërues.

“Në zgjedhje nacionale kemi pasur dëmtim në elektorat dhe strukturë. Kemi një ringritje të theksuar të besimit të qytetarëve të LDK-së, pavarësisht se nuk arritëm balotazhin”, deklaroi Quni për TV Prizrenin.

Ndërkaq, ai flet edhe për rezultatin e tij si kandidat për kryetar, duke thënë se pritjet i kishte shumë më të mëdha, ndërsa shtoi se nga këto zgjedhje duhet të nxjerrim mësime për të ardhmen.

“Tema e koalicioneve do të shtrohet në struktura të partisë. Sigurisht se do të bisedojmë edhe me qendrën. Do të presim edhe ofertat nga subjektet politike që kanë nevojë për ne. Sigurisht se do të varet edhe nga harmonizimi i programeve. Nuk kemi vija të kuqe ndaj partive që mëtojnë në garë për të qeverisur me Prizrenin. Kemi përvoja me kryetarin Haskuka dhe ato përvoja nuk janë dhe aq të mira. Por edhe sfiduesin Totaj nuk e njohim që të japim ndonjë vlerësim”, u shpreh ai.

Ndryshe, sipas rezultateve të bëra publike në faqen e KQZ-së, kandidati për kryetar nga LVV, Mytaher Haskuka, prinë me 40.43 % të votave, duke u pasuar nga kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, me 31.10 % të votave të fituara, ndërsa më pas radhitet kandidati i LDK-së, Anton Quni me 14.98%./GazetaSinjali/