Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka reaguar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, e cila dje u dërgua e vdekur në emergjencën e këtij qyteti.
Kjo organizatë ka kërkuar kundërshtim të ashpër kolektiv ndaj vrasjes së grave, duke thënë se kjo është thelbësore.
“Në shumë vende, dhuna e ushtruar ndaj grave, përfshirë vrasjet, nuk është konceptuar as si krim. Këto krime janë “mënyra se si bota funksionon” ose “akte të pasionit”. Këto fraza zbulojnë qëndrime të thella që kanë natyralizuar dhunën ndaj grave, domethënë e kanë bërë të duket sikur kjo dhunë është një pjesë e natyrshme ose normale e jetës së zakonshme”, thuhet në reagimin e QIKA-s.
“Dhuna kërkon të sigurojë që gratë janë të vrasshme, të zëvendësueshme; është një përpjekje për të përcaktuar vetë ekzistencën e jetës së grave si diçka të vendosur nga burrat, si një prerogativë mashkullore”, thuhet në njërin prej frazave që kjo organizatë i ka publikuar në formë të fotografive. /GazetaSinjali/