image Qentë endacakë "pushtojnë" oborrin e shkollës "Ismail Qemali", rrezikohen nxënësit dhe banorët

Sinjalizime

Qentë endacakë “pushtojnë” oborrin e shkollës “Ismail Qemali”, rrezikohen nxënësit dhe banorët

news image

Qentë endacakë vazhdojnë të mbeten problem dhe rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve të Prishtinës, sidomos nxënësve të shkollave, shkruan Gazeta Sinjali.

Këta qenë si duket e kanë shënuar si territor të vetin oborrin e shkollës “Ismail Qemali”, në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, ku po qëndrojnë tash e sa kohë.

Një sinjalizues ka dërguar në adresë të Gazetës Sinjali pamje të disa qenve endacakë, të cilët qëndrojnë në oborrin e kësaj shkolle, duke frikësuar e rrezikuar nxënësit dhe banorët e kësaj pjese.

Ai tha se këto video janë realizuar gjatë ditës së djeshme, të premten, kur ishte ditë mësimi dhe nxënësit ishin në shkollë në atë kohë.

“Kishte mësim dhe në po atë kohë ishte kjo turmë kaq e madhe e qenve në oborrin e shkollës, e që paraqet rrezik kjo pjesë gjithherë nga qentë endacakë, për nxënësit në veçanti dhe për banorët e kësaj pjese”, tha ky sinjalizues.

Pikërisht nga qentë endacakë që qëndrojnë në afërsi të kësaj shkolle, në maj të këtij viti ishte sulmuar djali 9-vjeçar i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës.

Derisa nxënësit e banorët rrezikohen edhe sot nga qentë endacakë, Komuna e Prishtinës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdojnë t’ia hedhin fajin dhe përgjegjësinë njëra-tjetrës./Gazeta Sinjali/