image Qentë endacakë e kafshojnë djalin 9-vjeçar të Mimoza Kusarit

Siguri

Qentë endacakë e kafshojnë djalin 9-vjeçar të Mimoza Kusarit

news image

Shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza – Kusari, ka njoftuar se djali i saj 9-vjeçar, nxënës në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, është sulmuar nga qentë endacakë mesditën e sotme.

Kusari – Lila ka thënë se qentë e kanë sulmuar të birin e saj afër kësaj shkolle, derisa ai po futej në oborr, raporton Gazeta Sinjali.

“Sot cak i një sulmi nga qenët endacakë ishte djali ynë Edoni, 9 vjeçar, në afërsi të shkollës së tij ‘Ismail Qemali’ në Bregun e Diellit në Prishtinë. Sulmi ndodhi në mes të ditës, ora 1:15 mesditë, derisa djali ishte duke hyrë në oborrin e shkollës. Reagimi i mësueses, drejtoreshës dhe pastaj emergjencës ka qenë i menjëhershëm dhe pas intervenimit kirurgjik (qepjes) në Emergjencë, Edoni është duke u trajtuar në shtëpi”, shkroi ajo në Facebook.

Me këtë rast, deputetja e VV-së ka thënë se trajtimi përmbajtësor i problemit me qentë endacakë është i domosdoshëm, duke thënë se ky problem ka prekur qindra familje në mbarë vendin.

Ajo ka uruar që djali i saj të jetë i fundit që ka përjetuar një sulm të tillë nga qentë endacakë.

“Unë nga zemra uroj që djali ynë të jetë i fundit që e përjetoi traumën e sotme, por frikohem se nuk do të mbarojë me kaq. Apeloj dhe lus të gjitha nivelet e vendimmarrjes, mos të lëmë fëmijët të rritën me frikën e daljes në rrugë dhe urrejtjen ndaj kafshëve. Të ngrisim vëmendjen për trajtimin e qenve të pastrehë dhe trajtimin e mëtutjeshëm të tyre. Nuk e fajësoj askënd sonte, dua të kalojmë këtë mbrëmje me falenderimin se nuk u bë më keq, por jo edhe për të ardhmen. Nuk dua të pranoj si standard këtë realitet, e nuk duhet askush të lejoj të kemi siguri të këtij niveli në rrugët tona”, ka përfunduar ajo./Gazeta Sinjali/