image Qalaj: Vuçiq do të bëjë të pamundurën që serbët në Veri të rrebelohen dhe të mos e pranojnë vendimin për targat

Politikë

Qalaj: Vuçiq do të bëjë të pamundurën që serbët në Veri të rrebelohen dhe të mos e pranojnë vendimin për targat

news image

Qeveria e Kosovës shpalosi dje një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

E ky ndryshim i vendimit sipas deputetit të PDK-së Rashit Qalaj njëherish edhe anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të ndikoj që të ulen përkohësisht tensionet në Veri të vendit.

Qalaj tha për Gazetën Sinjali se problemet do të shfaqen kur të shqiptohen gjobat e para e më pas edhe konfiskimi i veturave që mbesin pa targa.

“Unë mendoj që vendimi i sotëm i Qeverisë vetëm përkohësisht do të ulë tensionet pra vetëm deri më datë 21 nëntor kur edhe parashihet gjobitja e qytetarëve serb në rast se në veturat e tyre hasen targat Ilegale. Unë mendoj që në momentin kur një kundërvajtës gjobitet për posedim të targave ilegale atij përpos gjobës duhet edhe t’i konfiskohen targat e që kjo do të thotë veturat e tyre mbeten pa targa dhe si të tilla ato (veturat) duhet të largohen nga qarkullimi . Dhe këtu mendoj unë do të fillojnë problemet”, u shpreh ai.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, shprehet skeptik sa i përket zbutjes të tensioneve në Mitrovicën e Veriut- komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Sipas Qalajt, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në koordinim me “strukturat politike dhe ato kriminale në Veri do të bëjnë të pamundurën që serbët lokalë të rrebelohen dhe të mos pranojnë këto veprime të Qeverisë së Kosovës”.

Kjo situatë, Qalaj thotë se do ta kthejë vendin në pikën zero sa i përket kësaj çështjeje.

Ndryshe, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët janë shprehur “të zhgënjyer dhe të shqetësuar” për shkak të refuzimit të kërkesës së tyre nga Qeveria e Kosovës për shtyrje të afatit për targat.

Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, vetëm 20 qytetarë serbë të Kosovës i kanë pranuar targat e Republikës së Kosovës, duke i hequr ato ilegale, kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në përfundim të afatit.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë personat që riregjistrojnë veturat të cilat kanë akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR, GL e të ngjashme e që konsiderohen ilegale, lirohen nga pagesa tatimit dhe doganës të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

/GazetaSinjali/