Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar para mediave se Kosova në aspektin e sigurisë është shumë e qetë dhe e sigurt, shkruan Gazeta Sinjali.
“Në aspektin e sigurisë Kosova është shumë e qetë dhe e sigurt. Angazhimet e policisë janë të mëdha, jemi duke përcjellur situatën në kufi. Gjatë ditës ne bëjmë përcjelljen e qytetarëve për në karantinën te Qendra e Studentëve, po ashtu në koordinim me institucionet tjera, mbajmë të izoluara edhe lokacionet që janë të përcaktuara nga institucionet e shëndetësisë. Dua të apeloj te bizneset tona që të lejojnë punëtorët që të lirohen më herët nga puna në mënyrë që të mbërrijnë më herët në shtëpi, pra para orës 17:00 kur edhe përfundon ora policore”, tha ai.
Qalaj para gazetarëve e ka pranuar se që nga përhapja e pandemisë COVID-19, ka qenë një numër i madh i personelit mjekësor serb që kanë hyrë në Kosovë, mirëpo vetëm me leje.
“Me leje, ka hyrë një numër i madh i personelit mjekësor nga Serbia. Asnjë individ mund të them që ka hyrë në Kosovë pa leje”, ka thënë Qalaj.
Tutje Qalaj theksoi se të gjitha veprimet që i merr policia janë në bashkëveprim me institucionet qendore dhe ato lokale./GazetaSinjali/