image PZAP sfidon Gjykatën Supreme, votat e diasporës nuk do të numërohen

Kosovë

Zgjedhje/ PZAP sfidon Gjykatën Supreme, votat e diasporës nuk do të numërohen

news image

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar  ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 1.806 fletëvotimeve të ardhura nga jashtë.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i VV-së Armend Manxhuka, i cili ka thënë se PZAP-ja e ka refuzuar kërkesën e LVV-së për të numëruar 1.806 fletëvotime nga mërgata.

“Po, kërkesa e LVV-së për numërimin e 1.806 fletëvotimeve të ardhura nga diaspora është refuzuar”, ka thënë Manxhuka, për Gazetën Sinjali.

Edhe pse Gjykata Supreme përmes një aktvendimi kishte vendosur që këto vota të numërohen, siç duket PSAP nuk e ka marr parasysh, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në Facebook zyrtari i VV-së, Blerim Sallahu ka paralajmëruar se Vetëvendosje do të ankohet përsëri në Gjykatën Supreme lidhur me numërimin e  fletëvotimeve nga mërgata.

“PZAP, del kundër Aktgjykimit të Gjykatës Supreme; PZAP, refuzon si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërim të 1806 pakova të fletëvotimeve të mërgatës duke e rikthyer në zbatim nenin 96.2 të LZP-së edhe pse Gjykata Supreme ka vendosur me Aktgjykim A-A.U.ZH.nr.20/2019 se neni 96 par.2 nuk duhet të zbatohet për fletëvotimet e dorëzuara me postë nga qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Nuk do të ndalemi derisa të numërohet edhe fletëvotimi i fundit i qytetarit të Republikës së Kosovës. Prandaj vazhdojmë me ankesë në Gjykatë Supreme”, ka shkruar zyrtari i VV-së. /Gazeta Sinjali/