image Punimet në rrugën “Muharrem Fejza”, banorët protestojnë të enjten

Sociale

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza”, banorët protestojnë të enjten

news image

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza”, dhe ata të rrugëve lidhëse kanë bërë të ditur se të enjten do të protestojnë. Kjo për shkak të punimeve që kanë nisur tash e katër muaj.

Përmes një njoftimi për media thuhet se punimet në atë rrugë kanë filluar që katër muaj, për shkak të këtyre punimeve nuk ka hapësira të sigurta për ecje, mungojnë rrugët alternative dhe shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje.

Tutje ata kanë njoftuar se protesta do të mbahet me fillim nga ora 18:00.

Njoftimi i plotë:

Ne banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse, me datë 22/07/2021, ditë e enjte, në ora 18:00, tek rrethi që lidhë rrugën “B” me rrugën “Muharrem Fejza” (tek barnatoret), do të PROTESTOJMË për gjendjen e rrugës gjegjësisht punimet në rrugë.
Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd.
Me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhese të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht.
Ne si banorë, kërkesat tona i kemi adresuar disa here në Komunë por edhe tani jemi pa përgjigje ndaj tyre. Kemi shtjerur çdo formë mirëkuptimi e institucionale si banorë.
Andaj, me datën e lartë cekur PROTESOJMË për: Intesifikim të punimeve, për rrugë alternative të mirëmbajtura, për mbikëqyrje të punimeve dhe zbatim të planit dinamik të punës.
Ju ftojmë ta ndiqni këtë aktivitet, me qëllim sensibilizimi dhe adresimi të kërkesave tona drejt autoriteteve komunale! /GazetaSinjali/