image Punimet në rrugë lënë pa ujë banorët e Matit 1, KRU thotë se 'nuk ka gisht' në to

Kosovë

Punimet në rrugë lënë pa ujë banorët e Matit 1, KRU thotë se ‘nuk ka gisht’ në to

news image

Banorët e lagjes “Mati 1” në Prishtinë sot gjatë ditës kanë mbetur pa ujë të pijshëm si pasojë e punimeve në rrugë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali janë ankuar se furnizimi me ujë është ndërprerë për shkak të disa punimeve të ujësjellësit, por këta të fundit e kanë mohuar një gjë të tillë.

Zëdhënësja e KRU-së, Arjeta Mjeku për Gazetën Sinjali ka bërë të ditur se ekipet e kompanisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë konstatuar se dikush tjetër është duke kryer punimet në atë anë dhe për këtë arsye ka mbyllur valvulën e ujit.

“Ky bager dhe këto punime nuk janë të ujësjellësit. Ekipet tona teknike-operative nuk i kanë bërë këto punime. Çka është me e keqja, ekipet tona tash dolën në vendin e ngjarjes për të parë se çka ka ndodhur, me ç‘rast e konstatuan që dikush tjetër ka punuar aty dhe dikush i panjohur për ne, e ka mbyllur valvulën e ujit për atë rrugë dhe disa të tjera. Kjo është shqetësuese për ne dhe konsumatorët në veçanti”, tha ajo.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me Drejtorinë e Urbanizimit në Prishtinë, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm. /Gazeta Sinjali/