Nga Demetri Sevastopulo “Financial Times”
Më 27 korrik, Kina u bë vendi i parë në botë që testoi një armë hipersonike, e cila udhëtoi përreth Tokës me një shpejtësi 5 herë më të madhe se ajo e zërit. Arma drejtohej nga një raketë, e aftë të fluturojë mbi Polin e Jugut, duke shmangur kësisoj mbrojtjen raketore të ShBA-së, e cila është e përqendruar në Polin e Veriut, duke iu dhënë kinezëve një shteg tjetër për të goditur objektivat në Amerikë.
Ai test ishte i fundit në një seri zbulimesh mbi aftësitë bërthamore në rritje të Kinës, të cilat e kanë alarmuar seriozisht Uashingtonin. Në fillim të këtij muaji, Pentagoni tha se beson se Kina e ka përshpejtuar programin e saj ushtarak bërthamor, dhe do e 4-fishojë arsenalin e saj në të paktën 1000 armë bërthamore deri në vitin 2030.
Gjatë dy dekadave të fundit, Kina e ka mahnitur Uashingtonin me ritmin e lartë të ngritjes së saj ushtarake konvencionale, duke filluar nga avionët luftarakë deri tek nëndetëset dhe anijet luftarake. Marina kineze është tani më e madhja në botë. Por kombinimi i testit të armës hipersonike, e ka përqendruar vëmendjen tek një ndryshim potencialisht dramatik, që po ndodh në arsenalin bërthamor të Pekinit.
Udhëheqësit ushtarakë në Uashington përballen me 2 pyetje serioze. Pas dekadash kur ka pasur një rritje graduale të forcave të saj bërthamore, a po shkon Kina drejt një qasje më pak mbrojtëse, e cila ka potencialin të ndryshojë ndjeshëm balancën e fuqisë në Azinë Lindore? Dhe a mund t’i japë kjo mundësi Kinës të fitojë në rast të një konflikti me ShBA-në mbi Tajvanin, duke e neutralizuar kërcënimin nga armët bërthamore amerikane?
Gjenerali Mark Milley, kryetar i shefave të përbashkët të ushtrisë amerikane, e cilësoi testin e Kinëssi shumë afër një “momenti Sputnik”, duke iu referuar vitit 1957, kur Bashkimi Sovjetik ishte i pari që lëshoi me sukses një satelit në hapësirë. Sipas tij zgjerimi i shpejtë i aftësive ushtarake të Kinës përfaqëson “një nga ndryshimet më të mëdha të fuqisë gjeostrategjike, që ka përjetuar ndonjëherë bota”.
“Ne duhet të veprojmë me shpejtësi për të zhvilluar aftësi në të gjitha fushat, tokë, det, ajër, hapësirë, kibernetikë dhe forcat tona strategjike bërthamore, për t’iu përshtatur këtij peizazhi global në zhvillim. Ne duhet të veprojmë tani. Përndryshe, rrezikojmë t’i dënojmë me dështim brezat tanë të ardhshëm”- thotë Milley për “Financial Times”.
Por Jeffrey Lewis, ekspert i mospërhapjes së armëve bërthamore në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare Midëllbëri, thotë se zgjerimi i arsenalit nuklear të Kinës, ka nxjerrë në pah rezultatin vetë-shkatërrues të politikës amerikane dekadat e fundit. “Administratat Bush dhe Obama, pretenduan se nëse ne do të ruanim një rezervë armësh bërthamore 3-4 herë më të madhe se Kina, Pekini do t’i shmangej përpjekjes për t’u përballur me ShBA-në. Por kjo qasje nuk po funksionon më”- thotë ai.
Që kur Kina kreu testin e saj të parë të bombës bërthamore në vitin 1964, ajo ka pasur një politikë parandaluese minimaliste, të mbështetur nga një “forcë bërthamore modeste por efektive”. Pra një politikë që lejonte pasjen mjaftueshëm të armëve bërthamore, sa për t’u hakmarrë kundër çdo sulmi fillestar nga armiku. Mao Zedong deklaroi në vitin 1956, se Kina kishte nevojë për bomba atomike për parandalimin e sulmeve, edhe pse ai i përshkroi ato si “tigra prej letre”.
Në raportin e tij të fundit, Pentagoni thotë se Kina do të 4-fishojë stokun e saj deri në të paktën 1000 armë bërthamore deri në fund të kësaj dekade. Ndërkohë ushtria kineze po zhvillon raketa të reja balistike ndërkontinentale, që do të bartin shumë bomba bërthamore, dhe po ndërton qindra baza lëshimi për to.
Vetëm gjatë vitit 2020, ajo testoi 250 raketa balistike, më shumë se sa pjesa tjetër e botës e marrë së bashku. Ndërkohë Pentagoni konfirmon se Kina ka më shumë se 200 sensorë dhe satelitë zbulues në hapësirë, krahasuar me 120 vetëm dy vjet më parë. Raporti i Pentagonit dhe testi i armës hipersonike, ka intensifikuar debatin në Uashington dhe në kryeqytetet e aleatëve amerikanë, nga Japonia në Australi, se përse Kina ka vendosur të braktisë qëndrimin e saj të mëparshëm.
Disa ekspertë thonë se Kina po e rrit aftësinë e saj hakmarrëse, për të ndalur përparimet e ShBA-së në fusha të tilla si mbrojtja raketore. Pekini është gjithnjë e më i shqetësuar për këtë që nga viti 2002, kur administrata Bush u tërhoq nga traktati kundër raketave balistike, që kufizonte sistemet e mbrojtjes raketore tokësore.
Ndërsa të tjerë argumentojnë se presidenti kinez Xi Jinping, dëshiron të sigurohet që ShBA të mos përpiqet të përdorë armët bërthamore për ta penguar Kinën nga nisja e veprimeve ushtarake kundër Tajvanit. “Kina nuk po e zgjeron arsenalin e saj bërthamore për një goditje të fortë ndaj Amerikës.
Ajo po përpiqet ta fusë ShBA-në dhe Kinën në një ngërç më të thellë “brishtësie të ndërsjellë”, në mënyrë që ShBA-ja të mos ketë mundësi të luajë me kartën bërthamore në rastin e një lufte konvencionale, si për shembull mbi Tajvanin”- thotë Caitlin Talmadge, eksperte bërthamore në Universitetin Xhorxhtaun.
Vipin Narang, ekspert i sigurisë bërthamore në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, beson se Kina po e zgjeron arsenalin e saj bërthamor, pasi mendon se “rreziku i një lufte konvencionale me ShBA-në, është tani më i lartë se kurrë”. Narang thekson se rreziku më i madh nuk është lufta bërthamore, por “një luftë konvencionale shumë intensive, ku Kina e shkarkon arsenalin e saj të madh të raketave konvencionale ndaj vendeve aziatike aleatë të ShBA-së, pa frikën e një lufte bërthamore me këtë të fundit.
Pas tërheqjes së ShBA-së nga Afganistani, analistët parashikuan se Kina do të bëhej më agresive ndaj Tajvanit, pasi Joe Biden kishte treguar pak oreks për konflikte të reja. Biden argumentoi se tërheqja nga Kabuli, do t’i japë mundësi ShBA-së që të përqendrohet më shumë tek Kina.
Robert Ashley, gjeneral në pension që ka drejtuar deri një vit më parë Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, mendon se Pekini ka vendosur t`i zgjerojë forcat e tij bërthamore, ndoshta sepse e parashikoi se ShBA-ja do të ndryshonte fokusin.
Duke reaguar ndaj raportit të Pentagonit, ambasada kineze e akuzoi ShBA-në se ka shpenzuar triliona dollarë për të përmirësuar arsenalin e vet bërthamor, duke i bërë jehonë kritikave se ajo nuk ka nevojë për kaq shumë armë. Sipas ambasadës kineze armë hipersonike po zhvillon si ShBA-ja po ashtu edhe Rusia.
Matthew Kroenig, autor i një raporti mbi forcat bërthamore kineze në “Atlantic Council”, thotë se ndërsa ShBA-ja është qartësisht gjithnjë e më “e cenueshme”, nuk duhet që ta pranojë diktatin e Pekinit dhe duhet të vazhdojë të përmirësojë arsenalin e vet bërthamor./GazetaSinjali/