Për vite me radhë, institucionet e BE-së u kanë premtuar 26 milionë bullgarëve dhe rumunëve se janë gati të bashkohen me një Europë pa kufij.
Ndërkohë, Holanda ka qëndruar në heshtje, duke këmbëngulur se Sofja dhe Bukureshti duhet të përpiqen më shumë për të marrë garanci të tilla, shkruan Radio Europa e Lirë.
Tani, ndërsa janë rritur sërish shpresat rumune dhe bullgare për t’u bashkuar me zonën Shengen, ku pasaportat dhe kontrollet e tjera kufitare janë hequr, një veto holandeze mund t’u japë anëtarëve më të vegjël të BE-së, një tjetër goditje dëshpëruese dhe të pengojë një nga prioritetet e presidencës çeke të BE-së, mandati i së cilës përfundon në janar.
“Konservatorizmi i tanishëm pasqyron faktin se partitë e qendrës së djathtë në Holandë, ishin të pakënaqura me reformat e Rumanisë dhe Bullgarisë kur ato u anëtarësuan në BE në vitin 2007”, thotë Simon Otjes, profesor në Universitetin Leiden.Ka pak shenja zbutjeje në Hagë.
Parlamenti holandez miratoi muajin e kaluar një mocion që i kërkon qeverisë së kryeministrit Mark Rutte “të mos ndërmarrë asnjë hap të pakthyeshëm” mbi çështjen e Shengenit për Rumaninë ose Bullgarinë pa “hetime të mëtejshme për mbikëqyrjen e kufijve dhe uljen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në të dy vendet”.
Ai paralajmëroi se “korrupsioni dhe problemet me krimin e organizuar në një vend anëtar të Shengenit, mund të shkaktojnë probleme serioze në funksionimin e kontrollit kufitar në atë vend dhe kështu të rrezikojnë sigurinë e Holandës dhe të gjithë zonës Shengen”.
Ministria e Jashtme holandeze i tha Shërbimit Bullgar të Radios Europa e Lirë, se “qëndrimi holandez për zgjerimin e Shengenit është i qartë: kur të përmbushen kërkesat, pranimi është i mundur”.
Ministria përmendi zbatimin e të ashtuquajturit Acquis Shengen, i cili përfshin rregullat dhe legjislacionin e BE-së për forcimin e kufijve të jashtëm dhe shfuqizimin e atyre të brendshëm, dhe Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit të BE-së (CVM) që monitoron përparimin e anëtarëve në reforma si drejtësi dhe krim.
“Ne duhet të peshojmë të gjithë informacionin edhe në një nivel politik (përfshirë dialogun me Parlamentin)”, tha ministria në deklaratën e saj.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anitta Hipper, ka thënë se zbulimet e një hetimi në tetor nga ekspertë të komisionit dhe vendeve anëtare për zbatimin e Acquis Shengen, ishin pozitive.
“Ky mision konfirmoi se Rumania dhe Bullgaria janë më se të gatshme për t’u bashkuar me zonën Shengen”, tha Hipper.
Kjo mund të japë një rreze shprese përpara një takimi muajin e ardhshëm të ministrave të Drejtësisë të BE-së, për të shqyrtuar heqjen e kontrolleve kufitare për Kroacinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. (Kroacia thuhet se është siguruar se do të marrë dritën jeshile për në Shengen.)Por kriteri CVM paraqet një problem më të madh, veçanërisht për Bullgarinë.
Në vitin 2019, Komisioni Europian arriti në përfundimin se Sofja kishte bërë përparim të mjaftueshëm, por komisionit i mungonte unanimiteti për të përjashtuar zyrtarisht Bullgarinë nga procesi i CVM-së.
Juliana Nikolova, e cila ndihmoi Bullgarinë të negocionte anëtarësimin në BE dhe tani drejton portalin Europe.bg në gjuhën bullgare, thotë se këmbëngulja holandeze për një raund të dytë vlerësimesh pozitive, është në përputhje me qëndrimin e Hagës në vitin 2019. “Mund të thuhet se kjo është një shenjë mosbesimi”, tha Nikolova për Shërbimin Bullgar të Radios Europa e Lirë.
Qeveria bullgare, në atë kohë, i bëri presion Komisionit Europian që të ndalonte lëshimin e raporteve të CVM-së, duke lejuar qeverinë e atëhershme të kryeministrit Bojko Borisov, të shpallte një moment historik politik. “Por fitorja e madhe doli se ishte një humbje”, tha Nikolova.Bullgaria, që atëherë, është rrënuar nga kriza e vazhdueshme politike.