Kandidati për deputet i Partisë Socialdemokate të Kosovës, Frashër Krasniqi gjatë një debati politik ditë më parë, kishte sulmuar ish bashkëpartiakun e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti për mungesë të diplomës së fakultetit.
Në këtë debat, kjo mbase ka qenë ndër “armët” kryesore të Krasniqit, ndaj rivalit të tij duke e sfiduar vazhdimisht me pyetje rreth kësaj çështjeje. Krasniqi ka insistuar dhjetëra herë në këtë pyetje, siç mund ta shihni më poshtë edhe në video.
“Tregom a e ke kry fakultetin? Valdrin a e ke kry fakultetin?….A e ke kry fakultetin? As nuk e ke kry fakultetin, ke ngelë në shkollë të mesme…….” , kishte insistuar përfaqësuesi i PSD-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, Frashër Krasniqi nuk e ka bërë të ditur asnjëherë qëndrimin e tij ndaj bashkë partiakut në PSD, Dukagjin Goranit i cili siç ka raportuar dje Gazeta Sinjali, e ka të kryer vetëm shkollën e mesme.
Ai nuk është shfaqur kurrë publikisht për ti denoncuar dukuritë e njëjta brenda llojit, të cilat zgjedh t`i përdorë në diskursin ndaj kundërshtarëve politikë.
Për më tepër, duke mbyllur gojën, Krasniqi ka pranuar të jetë nën një ombrellë me bashkëpartiakun e tij, i cili ka kryer vetëm shkollën e mesme.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar sot Frashër Krasniqin për ta marr një qëndrim të tij rreth kësaj çështjeje, por ai pasi ka dëgjuar për pyetjen e ka mbyllur telefonin duke kërkuar që ta telefonojmë gjysmë ore më vonë.
Përkundër kësaj, ai nuk është lajmëruar më në thirrjet e redaksisë së Gazetës Sinjali.
Aplikimi i standardve të dyfishta nga politikanët kosovarë dhe josiqeriteti i tyre para publikut, dëshmon se në shumicën e rasteve ata nuk e kanë seriozisht luftimin e dukurive negative por e përdorin këtë diskurs në kohë fushate me qëllim të mashtrimit të opinionit për të fituar vota./Gazeta Sinjali/