image Pse burrat hezitojnë më shumë se gratë që ta vendosin maskën?

Botë

Pse burrat hezitojnë më shumë se gratë që ta vendosin maskën?

news image

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar që bartja e maskave në hapësira publike të bëhet obligative gjatë kësaj kohe ku e gjithë bota po ballafaqohet me pandeminë COVID-19. Kështu ka vepruar edhe Qeveria e Kosovës.

E një hulumtim i fundit, i bërë nga Valerio Capraro nga Unviersiteti i Middlesexit dhe matematikania kanadeze, Helene Barcelo nga Instituti Shkencor Matematikor në Berkeley, ka treguar se burrat po ngurrojnë më shumë se gratë për ta vendosur maskën gjatë pandemisë. Gjithashtu, ka më shumë burra sesa gra që po vdesin nga koronavirusi.

Por, pse ata veprojnë kështu?

Nga hulumtimi i cili përfshiu në sondazh rreth 2,500 persona në Shtetet e Bashkuara, u mësua se burrat jo vetëm që ngurrojnë më shumë se gratë për ta vendosur maskën, por gjithashtu mendojnë se vendosja e maskës është e turpshme, nuk është diçka që duket bukur dhe është shenjë e dobësisë.

“Burrat janë më pak të prirur që të vendosin maskë dhe një nga arsyet kryesore është që ata besojnë se relativisht nuk do të preken nga sëmundja”, tha Dr.Capraro. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse koronavirusi po i prek më shumë burrat sesa gratë.

“Kjo është veçanërisht ironike, sepse statistikat zyrtare tregojnë se koronavirusi i prek burrat më seriozisht sesa gratë”, shtoi ai.

Sipas studimeve të tjera është dëshmuar se burrat janë gjithashtu më të pakujdesshëm për pastrimin e duarve. Në bazë të një sondazhi, 65% e grave dhe vetëm 52% e burrave kanë thënë se i pastrojnë duart rregullisht.

Në Shtetet e Bashkuara, në këto sjellje si duket po ndikojnë edhe bindjet politike. Përkrahësit e Partisë Republikane dhe presidentit të tanishëm, Donald Trump, janë më pak të prirur të vendosin maska sesa përkrahësit e Partisë Demokratike, sipas disa sondazheve. /Gazeta Sinjali