Banorët e lagjes “Veternik” të Prishtinës kanë protestuar për shkak të një kanalizimi, i cili qëndron i hapur tash e një kohë të gjatë dhe sipas banorëve po shkakton telashe të mëdha në shëndet.
Organizatori Driton Tafallari, për çështjen e kanalizimit tha se kanë bërë kërkesë në komunës e Prishtinës, mirëpo nuk kanë marrë përgjigjje. Sipas tij, gjendja është alarmante dhe se komuna duhet ta mbulojë kanalizimit.
“Njëri ndër problemet kryesore infrastrukturore që ne e kemi si lagje është kanalizimi i hapur i cili po na shkakton telashe të mëdha me shëndet, edhe kundërmimi është shumë i madhe. Përndryshe kërkesa jonë është që komuna e Prishtinës të mbyll këtë kanalizim. Ne të gjithë e dimë se këtu është plani të bëhet rruga A, mirëpo kjo rrugë premtohet sa herë ka zgjedhje, mirëpo asgjë nuk bëhet në këtë drejtim. Ne sot e kemi ftuar edhe kryetarin e komunës dhe disa drejtori të cilat janë përgjegjëse për këtë punë, mirëpo nuk kanë ardhë. Ne si masë të parë kemi organizuar këtë protestë…dhe pas kësaj kemi kërkesë nga banorët që masa të radikalizohët, ne do t;i mbyllim rrugët”, tha ai.
Në mesin e protestuesve ishte edhe Avdush Bajgora, specialistë reanimator në QKUK, i cili është banor i kësaj lagje.
Ai tregoi se nëse nuk zgjidhet ky problem banorët do të kenë sëmundje infektive, të cilat janë sëmundje ngjitëse.
“Ne nuk jemi të kënaqur sepse në qoftë se te ne ndodh ndonjë gjendje më e përgjithshme e infeksionit dhe e sëmundjeve ajo do të përhapët shumë shpejtë edhe në qytet, por fatkeqësisht kryetari jonë është duke u marrë me fushata, e ka harru Prishtinën, kjo është mjerim që në shekullin 21 në një lokacion që konsiderohet si Prishtina e re të ketë një gjendje aq alarmante”.
Hivzi Mehmeti, banor i lagjes “Veternik”, tha se aq shumë kanë probleme me kundërmimin sa që nuk mundën t’i hapin dritaret.
“Ne ja kemi dhanë votën Shpendit me shpresë që do të punojë për qytetarët e Prishtinës, nuk do koment kjo punë, ai duhet me mendu vet, natë e ditë duhet me ardh këtu me bisedu me qytetarë, ai ka premtu po asgjë s’ka ba si duket, qe 30 vite e kemi këtë problem. Apeloj që Shpendi të vijë të komunikoj me qytetarët të jetë në shërbim të qytetarëve”.
Banorët paralajmërojnë që nëse nuk zgjidhet ky problem, do t’i radikalizojnë masat dhe do të fillojnë t’i bllokojnë rrugët.