image Protestë-vallëzimi për profën anulohet në Prishtinë, pritet të mbahet në Vushtrri

Sociale

Protestë-vallëzimi për profën anulohet në Prishtinë, pritet të mbahet në Vushtrri

news image

Protestë-vallëzimi i dedikuar për profesorin vushtrrias Lulzim Paci nuk është mbajtur në Prishtinë.

Organizatorët kanë thënë se ngjarja e titulluar “Vallëzojmë kundër bullizmit” ka dështuar për shkak se komuna e Prishtinës nuk ka dhënë leje për një gjë të tillë me arsyetimin se në sheshet e kryeqytetit do të vendosen tendat e vaksinimit.

Rron Haxhiislami nga studio e vallëzimit “Love and Dance Prishtina” ka thënë për Klankosova.tv se megjithatë ‘protesta’ do të mbahet në Vushtrri në orën 14:00, ashtu siç ishte paralajmëruar.

“Komuna e Prishtinës lajmëron se nuk mund të realizohet fushata vetëdijësuese, “Vallëzojmë kundër Bullizmit” në sheshet e Prishtinës, me arsyen se qendrat e vaksinimit do të vendosen në sheshet e Prishtinës po këtë ditë! Këtë fushatë vetëdijësuese do ta realizojmë nesër vetëm në Vushtrri nga ora 14:00”, ka thënë ai.

“Vallëzojmë kundër bullizmit” i iniciuar nga “Love and Dance Prishtina”, të cilës i është bashkangjitur edhe studio tjetër e vallëzimit “Evolution Dance Kosovo” nga Prishtina, vjen pas reagimeve të shumta për Profën e Tik-Tokut i cili u bullizua për vallëzimet e tij në këtë rrjet social.

Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ajo e cila kishte kërkuar nga gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit që të marrin masa ndaj profesorit, për çka më vonë i ka kërkuar falje profesorit Paci.

Në njoftimin e paralajmëruar për këtë protestë-vallëzim thuhet se ky është një organizim kundër paragjykimeve dhe bullizmit në shoqërinë tonë.

/GazetaSinjali/