Më 3 prill qytetarët e Republikës së Serbisë do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Këto zgjedhje u bënë shkak për polemika mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, protesta të qytetarëve serbë, si dhe për reagime të ashpra të vendeve të QUINT-it ndaj shefit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se këto zgjedhje do të mbahen edhe në Kosovë dhe në rast se “Prishtina zyrtare tenton t’i ndalojë ato, do të ketë pasoja”. Ndërkaq, kryeministri Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se është në kontakt me shtetet e QUINT-it që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në këto zgjedhje. Kreu i ekzekutivit kosovar pati thënë se synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por as të mos cenohet shtetësia e Kosovës.
Por autoritetet në Kosovë më 21 mars kanë bërë të ditur se Serbia nuk i ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës.
Kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka këmbëngulur se Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, nëse do të kishte kërkesë nga Beogradi zyrtar për Qeverinë e Kosovës, gjë të cilën Serbia e ka parë si presion për njohjen e Kosovës dhe ka refuzuar diçka të tillë.
Nga ana tjetër, Kurti ka deklaruar se asnjëherë nuk ka pasur qëllim që të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia përmes kërkesës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe, por se askush nuk mund të kërkojë nga ai që të mos e respektojë sovranitetin e vendit të tij, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërkombëtarët kanë bërë vazhdimisht thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dolën me propozim që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.
Pas refuzimit të këtij propozimi nga Qeveria e Kosovës, vendet e QUINT-it dolën me një deklaratë të përbashkët, ku kritikuan ashpër moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve. QUINT-i deklaroi se e vlerësoi qasjen e Serbisë në gjetjen e zgjidhjes, por se Kosova ka refuzuar një propozim konstruktiv nga shtetet e QUINT-it për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Dështimi për mbajtjen e zgjdhjeve serbe brenda Kosovës, pasoi me një takim të Vuçiqit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, ku u diskutua për këtë çështje. Pas atij takimi, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, paralajmëroi se në jug dhe veri të Mitrovicës, të premtën e 25 marsit, serbët do të mbanin protesta.
Ashtu edhe siç u paralajmërua nga Jevtiq, qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës u mblodhën për të protestuar në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, shkuan në mënyrë të organizuar në Graçanicë.
Kjo protestë shtyu shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, të dalin sërish me një deklaratë përmes së cilës shprehën shqetësimin e tyre për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara.
Vendet e QUINT-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.
Protesta nisi paradite, me një numër të konsiderueshëm të qytetarëve serbë që me parulla në duar të cilat mbanin mbishkrime si “Me paqe kundër dhunës së Kurtit”, “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”, dolën të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Por meqë ishin mbledhur, ata vendosën të protestojnë edhe për suspendimin nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanviq. Stevanoviq u suspendua me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të komisionit disiplinor, si pasojë e pjesëmarrjes së saj në takimin me Vuçiq, ku u diskutua për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë. Zyrtarët e Kosovës thanë se pjesëmarrja e saj në tubim minon integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtares.
Suspendimi i saj ‘ia kalli telat’ presidentit serb, i cili tha se me këtë veprim është shkelur Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vitit 2013. Sipas tij, me këtë vendim, Kurti ka sulmuar Serbinë.
Pjesëmarrës në protestën e sotme ishin edhe zyrtarë të Listës Serbe, ndër ta edhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qevrinë e Kosovës, Goran Rakiq, i cili në një prononcim për medie, pas protestës, bëri të ditur se serbët do të bojkotojnë institucionet e Kosovës derisa Stevanoviq të kthehet në vendin e saj të punës.
Por kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe ‘shantazhon’ Qeverinë me pezullimin e punës së serbëve në institucionet e Kosovës.
Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar Rakiq një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit të kaluar.
Në konferencën për media, Rakiq kishte thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Njëjtë Rakiq kishte ‘kërcënuar’ edhe në vitin 2020, 2019 e 2018.
Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha sot në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”.
Gjatë protestës së serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka pasur fjalime dhe tubimi i qytetarëve ka kaluar qetë dhe pa incidente.
Kujtojmë se zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. OSBE-ja ka grumbulluar votat e serbëve të Kosovës pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa, ato më pas janë dërguar për numërim në dy qytete kufitare të Serbisë, në Rashkë dhe Vranjë.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.
Por më 15 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
Si përfundim, është vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i cili ka thënë që serbët e Kosovës do të votojnë në Serbinë qëndrore më 3 prill.