Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj Ramiz Kelmendit pas deklaratave të tij se ka kërkuar votat nga të punësuarit në kompaninë e tij.
Kelmendi po dyshohet për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal është e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burg.
“Pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së”, bëhet e ditur në njoftimin e prokurorisë./Gazeta Sinjali/