Pasditen e 29 janarit, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në dy lokacione në Prizren, ku janë kapur mbi 10 kilogramë drogë. Kjo bastisje ka rezultuar me arrestimin e Sevki Kayserlit, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas dërgimit në ndalim, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kayserlit.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Fitore Mehmeti, i tha Sinjalit se tashmë kërkesa për paraburgim është parashtruar.
“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 30 janar 2022 ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)“, ka thënë Mehmeti.
Për këtë rast, Policia të nesërmen ka lëshuar një komunikatë ku ka publikuar edhe disa fotografi.
Kayersli, sipas Policisë, drogën e kishte fshehur në një bunker.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe një shumë e konsiderueshme e qeseve plastike të zbrazëta, një Citroen C3, një palë qelësa për hapjen e lokalit, një qelës për hapjen e bunkerit dhe një telefon mobil.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/