image Prokuroria në Pejë ngre aktakuza ndaj tre personave të vdekur - Sinjali

Prokuroria në Pejë ngre aktakuza ndaj tre personave të vdekur

news image

Prokuroria Themelore në Pejë, në tri raste veç e veç, ka ngritur tri aktakuza ndaj A.M., S.T. dhe F.S., të cilët i ngarkonte për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”, ani pse ata kishin shtatë vite që kishin ndërruar jetë.

Aktakuzën e parë kjo prokurori e ka ngritur më 26 janar 2021, ndaj A.M., ndërsa me aktvendim më 19 gusht të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, e ka hedhur aktakuzën ndaj A.M., duke pushuar procedurën ndaj tij, me arsyetimin se ai kishte ndërruar jetë në vitin 2014, respektivisht shtatë vite para ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se, me qëllim të gjendjes faktike, gjykata më 19 shkurt 2021, i është drejtuar Stacionit Policor në Istog, për sigurimin e informatave për të akuzuarin, dhe të njëjtit me njoftim zyrtar kanë njoftuar gjykatën se i akuzuari A.M. ka vdekur në vitin 2014.

“Të njëjtit e kanë fotografuar edhe lapidarin e tij ku është shënuar se ai ka vdekur në vitin 2014, dhe si dëshmi për këtë e kanë sjellur edhe një foto të lapidarit”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Ndryshe, Gjykata e Istogut për këtë rast, paraprakisht i ishte drejtuar edhe zyrës së regjistrimit civil në Istog, ku të njëjtit kanë njoftuar se A.M. nuk është i regjistruar në librin e të vdekurve pranë kësaj zyre, ndërsa në librin amëz të të lindurve, është i regjistruar.

Në rastin e dytë, Prokuroria e Pejës më 12 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë po ashtu për vjedhje të shërbimeve ndaj S.T., dhe për këtë rast, me aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog,  më 26 gusht 2021, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, ka hedhur aktakuzën ndaj S.T., duke pushuar procedurën ndaj tij.

Kjo gjë kishte ndodhur për shkak se gjykata ishte njoftuar se i akuzuari kishte ndërruar jetë, rreth pesë vite para se ai të akuzohej, respektivisht, kjo gjykatë i ishte drejtuar me kërkesë Stacionit Policor në Istog lidhur me rastin, dhe të njëjtit me njoftim zyrtar kishin njoftuar se kishin dalur në terren tek shtëpia e të akuzuarit, kishin takuar djalin e tij i cili u kishte treguar atyre se babai i tij ka ndërruar jetë më 21 shtator të vitit 2016.

“Policia kanë shkuar edhe tek varrezat e fshatit dhe kanë bërë foto të lapidarit S.T., ku është cekur data e lindjes, ndërsa data e vdekjes më 21.09.2016, të cilën foto si dëshmi ia kanë bashkangjitur njoftimit zyrtar”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Ndërkaq, Prokuroria e Pejës, në rastin e tretë, më 29 gusht 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj F.S., për vjedhje të shërbimeve, kurse Gjykata e Pejës me aktvendim më 10 prill 2020, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, dhe ka hedhur këtë aktakuzë, duke pushuar procedurën ndaj F.S., pasi kishte rezultuar se ai kishte ndërruar jetë rreth pesë vite para se të akuzohej, raporton Betimi për Drejtësi.

Në arsyetimin e aktvendimit të gjykatës, ceket se më 6 mars 2020, në seancë ishte paraqitur djali i të akuzuarit F.S., i cili kishte deklaruar se babai i tij kishte ndërruar jetë më 4 mars të vitit 2014, dhe për këtë ai si dëshmi kishte sjellur certifikatën e vdekjes së babait të tij./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin