Prokuroria Themelore e Gjilanit ka bërë kërkesën në Gjykatë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj zyrtarit policor, Blerim Sylejmanit. Sipas pamjeve që ka publikuar Gazeta Sinjali, Sylejmani, shihet duke rrahur qytetarin A.Z (emër i njohur për redaksinë).
Ndaj Blerim Sylejmanit Inspektorati Policor i Kosovës ka ushtruar kallëzim penal. Ndërsa sipas pretendimeve të prokurorisë, Sylejmani, kishte për të kryer veprën penale “sulm”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri kishte për të kryer veprën penale, “Sulm” nga neni 184 paragrafi 1 i KPRK-së.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “sulm” parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në një vit.
“Kushdo që me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit”, thuhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Por si erdhi deri te rrahja?
“Më datë 14.Shtator 2019 , rreth orës 18:40 në rrugën “15 Qershori 1999” në Gjilan, i pandehuri B.S ,me dashje, përdor forcën ndaj të dëmtuarit A.Z, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth vendosjes së disa pakove me perimeve nga punëtorët e pemëtarisë “B….” afër hyrjes së garazhës së të pandehurit, i njejti e shtyen me dorë e më pas e sulmon duke e goditur me grushta dhe shkelma të dëmtuarin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit ku nga këto goditje i dëmtuari rrëzohet për toke. Mirëpo i pandehuri përkundër kësaj vazhdon së godituri ,deri sa ndërhyjnë përsonat present dhe e largojnë , me ç’rast i pandehuri me veprimet e tij, tek i dëmtuari ka shkaktuar dhembje, mundim, frikë dhe shqetësim të madh emocional”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Sinjali.
Pamje nga rrahja:
Kohëve të fundit është shtuar numri i zyrtarëve policorë të përfshirë në vepra të ndryshme penale. Sipas IPK-së, vetëm për gjashtë mujorin e parë të këtij viti nën dyshimet se janë përfshirë në vepra të ndryshme penale, po hetohen 289 zyrtarë të policisë./Gazeta Sinjali/