Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Azem Kurtaj, i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale vrasja në tentativë, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e PThF-së, thuhet se sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 6 janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, Komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S. Ku pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale vrasja e rëndë në tentativë.
SIpas Prokurorisë ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitiv të parë, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, me të cilën ka kryer veprën penale pPërdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të nëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 6 janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, Komuna Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve. Në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të lidhet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.