image Gjykata nesër shqyrton kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj ish-policit Sllagjan Trajkoviq

Drejtësi

Gjykata nesër shqyrton kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj ish-policit Sllagjan Trajkoviq

news image

Pas arrestimit nga Policia e Kosovë të Sllagjan Trajkoviq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i dyshuar për krime lufte Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës caktimin e masës së paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se Gjykata Themelore e Prishtinës nesër në mesditë pritet të shqyrtoi kërkesën e PRSK-së për caktimin e masës së paraburgimit  ndaj të dyshuarit.

Gazeta Sinjali  ka raportuar se i arrestuari i takon nacionalitetit serb dhe ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në valën e dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se me urdhër të tyre, Policia e Kosovës ka ndaluar një person me inicialet S.T. për veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar edhe me nenet 31 dhe 153 të KPRK.

Veprimet e të pandehurit S.T. janë në kundërshtim me konventat e Gjenevës, dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.

Dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në  në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë rast i pandehuri  në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre  gjatë kohës se luftës.

Si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës Mirlinda Gashi, tha për Gazetën Sinjali, se sot pasdite kanë pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së parbaurgimit ndaj të dyshuarit S. T.

“Gjykata ka caktuar që seanca dëgjimore nga gjyqtari i procedurës do të mbahet nesër në orën 12: 00 për të shqyrtuar kërkesën e PRSK-së”, tha Gashi.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/