Turistët që vijnë për t’i parë këto bukuri të Kosovës do ta kenë më të lehtë t’ua njohin edhe veçantitë e historitë.
Për ta do të kujdesen udhërrëfyesit që do të licencohen nga Ministria e Ndërmarrësisë, në bazë të projektligjit për turizmin që është afër miratimit.
“Parasheh zyrtarizimin e guidave turistike të Kosovës, përcakton të drejtat dhe detyrimet e operatorëve turistikë, organizatorëve të udhëtimit”, shpjegon Lumturije Geci, zëvendësdrejtoreshë në Departamentin e Turizmit në MINT, njofton Klan Kosova.
Ligji i ri do të jetë shumë më konkret se ekzistuesi edhe për bizneset që merren me turizëm, sipas Hysen Sogojevës nga Oda e Turizmit.
“Dihet puna e ndërmjetësuesit, dihet e tour operatorit, ndërsa sot me këtë ligjin aktual, ti ku të duash mund të dalësh, edhe në rrugë mund të shesësh bileta”, thotë Sogojeva.
Por këto edhe mund të ndëshkohen, nëse mashtrojnë vizitorët me oferta.
“Nuk e ka siguruar palën e tretë për ofrimin e paketës turistike, mund të ndëshkohet në rast se një qytetar ofron shërbime të udhërrëfyesit dhe nuk është regjistruar”, shprehet Geci nga MINT.
Sipas MINT, projektligji mund të ndikojë në shtimin e turistëve në Kosovë.
Megjithatë, sipas Sogojevës, në projektligj është lënë anash një gjë e madhe.
“Pa Agjencion Kombëtar të Turizmit pak mundemi me i qitë vlerat që i kemi”, thekson ai.
Projektligjit për Turizëm iu dha drita e gjelbër të martën në Komisionin për Ekonomi, ndërsa i duhen votat edhe në Kuvend, për miratim.