Kosova rrezikon të përfshihet nga pakënaqësitë sociale, për shkak të projektligjit për paga.
Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm publikë kanë paralajmëruar protesta dhe greva si formë presioni për miratimin sa më të shpejtë të këtij projektligji.
Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-ës – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se projektligji tani është në fazën e fundit të rihartimit dhe se miratimi nga ta pritet të bëhet muajin e ardhshëm. Ata, po ashtu, kanë premtuar konsultime publike për të.
Pas miratimit në Qeveri, ligji duhet të kalojë në Kuvend, të nënshkruhet nga presidentja dhe të dalë në gazetën zyrtare.
Projektligji për paga parasheh rritje të pagave në bazë të koeficientit, apo detyrave që kanë punonjësit publikë.
Deri në miratimin dhe fillimin e zbatimit të tij, sindikata të ndryshme kanë kërkuar nga Qeveria që të ndajë mjete shtesë, krahas pagave mujore.
Sipas tyre, ato janë të domosdoshme, për shkak të rritjes së inflacionit. Muajin e kaluar, inflacioni në Kosovë ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në shkurt të vitit 2021.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka paralajmëruar protestë në Prishtinë, më 8 prill, nëse Qeveria e Kosovës, sipas tij, nuk bën zgjidhje për projektligjin e pagave.
Sindikata e shëndetësisë ka thënë se më 7 prill do të vendosë për “veprime sindikale”.
Sindikata e arsimit ka thënë se do të presë një takim me zyrtarë të Qeverisë deri më 2 prill – në të kundërtën, do të futet në grevë.
Sindikata e stafit administrativ në sistemin e drejtësisë ka thënë se i jep afat ekzekutivit deri në gjashtë muaj; nëse projektligji për paga nuk i përmbush kërkesat e saj për rritje pagash, edhe kjo sindikatë mund të ngrihet me shprehje të pakënaqësive.
Sindikatat: Qeveria nuk është transparente
Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pakënaqësitë e punëtorëve janë rritur, pasi zyrtarë të Qeverisë janë zotuar se projektligji për pagat do të miratohet nga ta në muajin mars.
“Ne jemi të pakënaqur me pagat, mirëpo i kemi dhënë mundësi dialogut. Dialog nuk ka. Atëherë, mjet i fundit është reagimi sindikal. Nuk kemi pasur takim me zyrtarë të Qeverisë, ata kanë premtuar, por vetëm një mbledhje simbolike është mbajtur. Gjithçka është duke shkuar në mënyrë jotransparente”, thotë Syla.
Grevën e fundit njëditore, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e ka mbajtur më 25 nëntor të vitit 2021, pikërisht me kërkesën për rritje pagash.
Paga e mjekut specialist në Kosovë aktualisht është 600 euro; me ligjin e shfuqizuar do të ishte 1,195 euro.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, thotë se institucionet nuk kanë dhënë informacione se në cilën fazë të hartimit është projektligji për paga.
“Pakënaqësia më e madhe është se përse Qeveria po i mbyll dyert dhe po i ik dialogut me SBASHK-un dhe sindikatat e tjera… Ky dialog po mungon dhe kjo po krijon tensione shtesë, sepse ne nuk po kemi përgjigje zyrtare për shumë çështje”, thotë Jasharaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, SBASHK-u kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të ndajnë mjete shtesë – 100 euro në muaj – për të gjithë të punësuarit në sistemin e arsimit dhe kulturës, derisa të fuqizohet projektligji për paga dhe të nisë së zbatuari.
Ku ka ngecur Kosova me pagën minimale?
Pagën minimale s’e luan as rritja e çmimeve!
Ligji i shfuqizuar ka paraparë rritjen e pagës së një mësimdhënësi të shkollës fillore nga 470 euro në 612 euro; të një arsimtari të shkollës së mesme nga 525 në 621 euro, dhe të asistentëve dhe profesorëve universitarë nga 1,070 në mbi 1,338 euro.
Punëtorët e administratave të gjykatave dhe prokurorive kanë qenë në grevë nga data 1 deri më 18 mars, duke kërkuar po ashtu rritje pagash.
Kryetari i Shoqatës Sindikale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, thotë se kërkesë kryesore e tyre ka qenë që, në kuadër të projektligjit të pagave, pagat e punëtorëve të administratës të përafrohen me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas tij, paga mesatare e stafit administrativ është rreth 400 euro në muaj, kurse e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga 1,800 deri në 2,700 euro.
Derisa të nisë së zbatuari Ligji për paga, Rrustemi thotë se sindikata që udhëheq ai, kërkon po ashtu 150 euro shtesë në muaj për çdo punëtor të administratës, si dhe pagesën e shujtës ditore dhe të udhëtimit.
Rrustemi thotë se greva është pezulluar për t’i dhënë kohë Qeverisë, deri në gjashtë muaj, për përmbushjen e kërkesave të sindikatës së tij.
“Nëse eventualisht jemi të pakënaqur me Projektligjin e pagave, atëherë mjet i fundit është greva, sepse greva është pezulluar dhe nuk është ndërprerë”, thotë Rrustemi për REL.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se konsultimet publike për projektligjin e pagave do të fillojnë gjatë marsit, kur do të jenë të ftuara të gjitha sindikatat, mediat dhe shoqëria civile. Megjithatë, deri me datën 30 të këtij muaji nuk ka pasur njoftim për ndonjë debat të tillë.